Atletët të cilët dalin fitues në Lojërat Olimpike të Parisit këtë vit do marrin me vete një pjesë të historisë…

Medaljet që do jepen këtë vit në “Qytetin e Dritës”, janë me copëza të Kullës Eiffel. Bëhet fjalë për copa hekuri 6-këndore që peshojnë nga 18 gramë, të marra nga monumenti ikonë i Parisit i cili u ndërtua në 1889-ën. Ato do futen në secilën prej medaljeve, të arit, argjendit dhe bronzit.

Medaljet janë projektuar nga shtëpia franceze e bizhuve “Chaumet”.

“Ideja erdhi pas një sërë diskutimesh. Ne kuptuarm që ka një simbol që njihet në mbarë botën dhe ai është Kulla Eiffel”, u shpreh organizatori kryesor i Lojërave Verore Joachim Roncin.

Në total, janë përgatitur 5084 medalje.

Në qendër të secilës janë të ngulitura pjesët e hekurit, që mbahen në vend përmes shtojcave metalike. Këto copëza hekuri janë në ngjyrën e tyre origjinale dhe janë gdhendur me frazën “Paris 2024” së bashku me imazhin e pishtarit olimpik dhe pesë unazave olimpike.

Në anën tjetër të medaljeve shfaqet imazhi i Nike, perëndeshës greke të fitores, që qëndron përballë Stadiumit Panathenaic të Athinës, Akropolit dhe Kullës Eifel.

/tvklan.al