Shumë të famshëm kanë mbështetur sportistët pjesëmarrës në Lojërat Olimpike në Paris dhe mes tyre gjendet edhe Laura Pausini.

Këngëtarja italiane jo vetëm ka shprehur admirimin e saj për një gjimnaste që përfaqëson vendin, por ka kujtuar edhe kohën kur merrej vetë me këtë sport.
Pasi 21-vjeçarja Alice D’Amato fitoi medaljen e artë në traun e ekuilibrit duke mposhtur Simone Biles, Laura postoi një foto në rrjetet sociale duke ndarë detaje që e lidhin me sportisten.

“Ka tre rastësi që më lidhin me kampionen tonë. Një: Kur isha fëmijë më pëlqente të bëja gjimnastikë artistike në traun e ekulibrit. Dy: Emri im i dytë është Alice. Tre: Koncerti im i fundit në Paris ishte këtë vit në Bercy ku ajo fitoi medaljen dje”.
Laura postoi edhe disa foto kur ishte e vogël dhe bënte prova në traun e ekuilibrit. Gjithashtu përfshiu edhe fotot e Alice dhe koncertit.

“Thënë këtë, e shkrova më shumë për qejf dhe jo që ta krahasoj veten me të, mendoj se Alice është një sportiste e shkëlqyer dhe bashkë me ekipin na kanë bërë të ëndërrojmë dhe jam e lumtur që na kanë treguar se rezultatet vijnë kur ka punë, por edhe shumë përpjekje, punë fizike e psikologjike, disiplinë. Krenare për gjimnastët, ju duartrokas me dashuri”, shtoi artistja italiane./tvklan.al