Baton Haxhiu: “Momentin e ka zgjedhur, për arsye se janë zgjedhjet dhe, natyrisht, gjeopolitika kosovare është shumë e ndërlidhur me përkrahjen që vjen nga Shqipëria dhe, natyrisht, zoti Rugova e ka rikthyer pozicionin e vet në dinamikën e tij poliitke që Shqipëria të jetë vendi ku ai do të rirregullojë imazhin e këputur që 7 vjet më herët d.m.th., në shtator të vitit 1997 kur është takuar me zotin Nano para se zoti Nano të udhëtonte në takim me krerët, të takohej me ish-diktatorin serb Millosheviç. E dyta, ajo kujtesë historike ose kujtesa e keqe dhe ikja e Rugovës në mes të plumbave nga Shqipëria në kohën e krizës së madhe, në atë botë kur zoti Berisha në një farë mënyre i kishte dhënë përkrahjen zotit Demaci dhe UÇK-së, e rikthen në një situatë të re tani që edhe Shqipëria edhe Kosova janë të lira dhe i duhet ajo kujtesë, të themi kështu, historike, i duhet t’i takojë së kaluarës, kurse marrëdhëniet e reja duhet të ndërtohen në frymën e cila i duhet edhe Shqipërisë edhe Kosovës. Realisht, ne 7 vite më vonë, jemi në një pozicion krejtësisht tjetër në një ekonomi që është pak a shumë duke u ndërlidhur kurse pretendimet janë që edhe Kosova edhe Shqipëria të krijojnë një treg të përbashkët një politikë e cila është funksionale dhe natyrisht pretendimi për rrugët, të cilat do të mund të ndërtoheshin, do ta lidhnin definitivisht Shqipërinë dhe Kosovën si një variant i mundshëm i ardhshëm, jo vetëm i një gjeopolitike formale, por edhe ndoshta ajo që quhet vizion shqiptar i tregut 7 milionsh, që nënkupton ndoshta edhe atë bashkimin politik, i cili, dikur i heshtur, tani është shumë prezent dhe shumë i përfolur nga të dyja anët e kufirit.” /tvklan.al