Një zjarr i madh ka rënë në një zonë të banuar në Golem të Lushnjes duke rrezikuar dhe banesat përreth. Flakët kanë dalë deri në rrugën nacionale dhe tymi ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

Në një prononcim për mediat, shefi i zjarrfikëses, Xhezmi Metushi thotë se ka qenë një zjarr shumë problematik teksa shton se e ka ndjerë veten shumë ngushtë i ndodhur para një situate të tillë. Megjithatë, ai shton se kanë arritur që të mos lejojnë që zjarri të shkojnë në banesa.

“Ky zjarr ishte shumë problematik. Në të 100-tat e sekondës pasi kemi marrë sinjalin, kemi ardhur urgjentisht në vendin e ngjarjes ku jemi ndodhur para një situate tepër, tepër të vështirë sepse zjarri kishte avancuar drejt banesave. Me kushtet e pakta që kemi, erdhëm me 2 mjete zjarrfikëse, e izoluam zjarrin pa mbërritur në muret e ndërtesës. Zjarri ka qenë shumë pranë, sidomos në 2 banesa, zjarri ka qenë 3-4 metra larg banesave. Kemi luftuar me mish e me shpirt dhe zjarrin e vumë nën kontroll. Këto janë zjarre tepër të rrezikshme, janë zjarre të paprecedente. Ky është vend i populluar nga njerëz. Unë ju bëj thirrje që të gjithë qytetarëve të bëjnë kujdes sepse zjarre të tilla na vënë në vështirësi të paparë. Unë sot, si shefi zjarrfikëses e kam ndjerë veten shumë ngushtë.”

Metushi u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos ndezin zjarre teksa thotë se ligji është shumë i rreptë për zjarrvënie.

“Mendoj se ndonjë qytetar i papërgjegjshëm, i cili e ka vendosur në hyrjen e fshatit Golem tek tuneli poshtë shinave të trenit sepse nga aty ka ardhur fillesa zjarrit e ka ardhur deri afër kishës, nuk u prek kisha. Kemi fikur deri në 6 zjarre në ditë. Ju lutem të gjithëve të mos ndezin zjarre, ligji është i rreptë dhe parashikon deri në dënim me burg.”

Flakët janë favorizuar nga era e fortë duke u përhapur drejt jugut. Zjarri ka djegur edhe linjën e re hekurudhore, si dhe një banesë të braktisur./tvklan.al