Kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Bime, është marrë në pyetje në prokurorinë e rrethit, në lidhje me tragjedinë e së dielës, ku nga rrëzimi i një pallati 5 katësh humben jetën 3 persona dhe u plagosen disa të tjerë. Për plot 2 ore ai ka dhëne shpjegime në cilësinë e kryetarit te KRRT-së së bashkisë lidhur me procedurat e dhënies së lejes së ndërtimit të godinës që do të ngrihej në krah të pallatit 5-katesh.

Por prokuroret e çështjes do të dëgjojnë gjithashtu edhe versionin e anëtareve të tjerë të KRRT-së, disa prej të cilëve mësohet të kenë votuar kundër dhënies së lejes së ndërtimit. Një ditë më parë banorë të Gjirokastrës kërkuan dorëheqjen e kreut të bashkisë lidhur me ngjarjen e rëndë. Por Bime i refuzoi këto thirrje, ndërsa pas daljes nga prokuroria ka sqaruar se është i gatshëm t’u përgjigjet të gjitha thirrjeve të prokurorisë.

Flamur Bime: “Me prokurorinë jo vetëm që do të bashkëpunojmë dhe do të jemi të hapur, por natyrisht edhe ne do të japin shpjegimet e duhura që do t’i duhen organeve të drejtësisë. Ky është një proces që po hetohet dhe detyrimisht unë nuk mund të jap as konkluzione, por dhe sikur të kisha mendime dhe ide që patjetër, ato do ta vendonin hetimin”.

Nëntë persona janë arrestuar deri më tani lidhur me ngjarjen, tre prej tyre punonjës të bashkisë. Për të gjithë këta, gjykata e rrethi ka vendosur masën e sigurisë burg pa afat. I pari që është njohur me vendimin e togave te zeza ka qenë, Gjergji Meçe, Inxhineri Zbatues i firmës që po kryente punimet. Burg pa afat është dhënë edhe për të ndaluarit e tjerë, Alfred Mamani  Shef i Urbanistikes , Admir Shehaj  Përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit, Aferdita Papamihali Sekretare e KRRT-së në Bashkinë e Gjirokastrës, Jani Ndriço ekskavatorist në firmën “Arti Sh.p.k”, Thanas Llahana Inxhinier  Gjeolog  , Njazi Çobani  Arkitekt i  shoqërisë së ndërtimit, Luan Bufi  inxhinier i ARTI shpk , Sotiraq Janora drejtues teknik firmës si dhe Aristotel  Haxhi, bashkëpronar i firmës i shpallur në kërkim nga policia. 

Punonjësit e firmës  Arti Shpk akuzohen për shkelje të rregullave teknike në punë, ndërsa nëpunësit e administratës lokale për shpërdorim të detyrës./tvklan.al

Gazetar: Njazi Sako

Montazh: Ergis Hasanbelli