“Zyshat e Shqipërisë” ishte tema e Podcastit të radhës të kryeministrit Edi Rama me të ftuara tre mësuese për të diskutuar mbi temat kryesore të arsimit në vend. Pjesë e bisedës ishin sfidat me të cilat përballet Gjuha Shqipe sot, ku vetë mësuesja Valbona Duka dhe kryeministri Rama u ndalën te drejtshkrimi dhe fjalët e huaja që janë pjesë e shkresave.
Valbona Duka (Mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë): Shpesh e përmendim dhe u them nxënësve sa dhe si ngjajmë ne si shqiptarë kur themi “O dio, ose My God”. Nuk është jona, kur themi “Pash Zotin” është e plotë, është shpirt nuk është fjalë.
Edi Rama: Ajo që më shqetëson mua është ajo që shoh në media, ajo që shoh në shkresat, dokumentat zyrtare që është realisht e vështirë që të gjesh një uniformitet, rregull dhe pagabueshmëri në shkrimin e gjuhës shqipe. Në nivelin e parë institucional ne kemi marrë shumë masa dhe besoj që në njëfarë mënyre e kemi rregulluar…
Për t’u përshtatur me teknologjinë dhe metodat bashkëkohore të mësimdhënies, trajnimet kanë një rol tepër të rëndësishëm, shprehen mësueset.
Juliana Dollani (Mësuese Matematike): Ne trajnimet i kemi shumë të nevojshme dhe unë dua të përshëndes Ministrinë e Arsimit për nismën për mësuesit, është shumë e rëndësishme. Është një kyç, sigurisht një mësues duhet të jetë pjesë e trajnimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Viola Jerina (Mësuese Matematike): Inteligjenca Artificiale është matematikë dhe mua matematika më ka ndihmuar shumë për të kapërcyer pengesat. E filluam me nxënësit, nëse unë them që është e lodhshme t’i bësh nxënësit të bien në dashuri me Matematikën, me teknologjinë ata vijnë të dashuruar dhe s’ka nevojë…
Ndërsa Kryeministri Rama u shpreh se arsimi profesional është kthyer në fokus të qeverisë, për të përmbushur nevojat e tregut të punës.
Edi Rama: Ne duam të shtyjmë shumë më fort punën për arsimin profesional. T’u japim mundësi një pjese shumë të madhe nxënësish që të fokusohen te një profesion se s’do bëhen të gjithë shkencëtarë, juristë, ekonomistë etj etj. Shoqëria e shteti, në kuptimin e gjithë sektorëve ka nevojë që të ketë një armatë profesionistësh të të gjitha llojeve.
Teknologjia po kthehet në armik të librit fizik, dhe sipas Kryeministrit dhe mësueseve të ftuara në Podcast, duhet të punohet për rikthimin e të rinjve tek leximi tradicional, e jo vetëm tek ai online.
Klan News