“Ikëm në Përmet, nuk duam të kthehemi në shtëpi”
Dy vajzat e mitura 15 dhe 16 vjeç, të cilët u larguan nga banesat e tyre më 1 Janar, kanë folur para policisë, pasi u gjetën në një hotel në Përmet.
Ato janë shprehur se u larguan nga banesat për shkak të konflikteve që kishin prindërit. “Morëm 400 mijë lekë dhe ikëm nga Tirana në Përmet me furgon. Qëndruam aty derisa na mbaruan lekët. Ikëm sepse prindërit vetëm konfliktohen gjithë kohës”, mësohet të jenë shprehur ato.
Vajzat nuk kanë pranuar ende të kthehen në banesat e tyre, ndaj janë strehuar në një qendër sociale në Tiranë. Ato kanë thënë se kanë frikë nga dhuna e prindërve prandaj kërkojnë të qëndrojnë larg. Policia thotë se po vijon hetimet për zhdukjen e tyre, nëse ka persona të tjerë të përfshirë.
Ishte pronari i një hoteli në Përmet që lajmëroi policinë për dy vajzat e mitura, që u kishin thënë prindërve se do shkonin tek njëra-tjetra, por më pas u larguan dhe fikën celularët.
Prindërit e të dyjave rezultojnë të divorcuar dhe të miturat dyshohet se e kishin planifikuar prej kohësh largimin nga shtëpia.
Tv Klan