“Jemi në komunizëm mendimi”, kështu e ka nisur fjalën e tij gazetari Flavio Qarri gjatë një bisede në studion e “Rudina” në Tv Klan, për ndryshimet e brezave dhe të shoqërisë përgjatë kohës.

Qarri thotë se rrjetet sociale, e veçanërisht TikTok, ka nxitur një gjuhë vulgare në shoqëri, e cila po çon në “mbytjen” e të rinjve për të thënë mendimin e tyre të lirë. Pasi sipas tij nëse e bën këtë fundit, ose do të pranohesh nga shoqëria për mendimin tënd, ose do të shahesh me “libër shpie” për atë se çfarë ke shprehur.

Rudina Magjistari: Si mendon Flavio, është e vërtetë kjo që është shumë e vështirë sot për të pranuar të ndryshim dhe duket sikur kemi bërë regres në këtë pikë.

Flavio Qarri: Është drama më e madhe, jo vetëm e rinisë! Aktualisht ne jemi në komunizëm mendimi dhe brezi i fundit që ka pasur liri shprehje apo liri fjale të vërtetë ka qenë brezi im, deri para 5 apo 6 vjetësh le të themi. Aktualisht ekziston komunizmi i mendimin, ne i quajmë politikisht korrekte mirëpo “politikisht korrekte” e sterilizon mendimin, analizën dhe deduksionin logjik të individit. E dyta, nëse shohim rrjetet sociale në Shqipëri ti e ke të pamundur që pavarësisht moshës që të shprehësh apo të ngresh një debat apo mendim ideologjik, filozofik tënden që reflekton një moment të shoqërisë dhe i vetmi reagim është që ose janë pro teje, ose ke një qasje me ofendim “me libër shpie” që po e stimulon veçanërisht TikTok-u. Një vulgaritet në të shprehur që po djerr edhe nivelin e të arsyetuarit apo të mendimit, rrjedhimisht dhe të të shprehurit të individëve. Kjo është e rrezikshme dhe mbyt çdo të ri që do të shprehë çfarëdolloj gjëje. Dhe çfarë ka bërë kjo, i ka futur në kurth dhe gazetarët dhe mediat, të cilët në urinë e klikimeve duke parashikuar sjelljen e masës, e ushqejnë atë me një gjë që do të shkaktojë debat dhe komente, ose views dhe pëlqime.

Nga ana tjetër në të njëjtën vijë logjike dhe Rovena Rrozhani u shpreh se këto sjellje të shoqërisë janë si rezultat i të kaluarës, duke përfshirë këtu dhe kohën e komunizmit ku njerëzit nuk kishin të drejtën ta shprehnin lirisht mendimin e tyre.

Rovena Rozhani: Ne kemi një natyrë mesdhetare, të nxehtë dhe nuk jemi në bisedat që mendojmë se po negociojmë, qoftë edhe për një mendim apo për një opinion politik apo dhe një opinion tjetër ekonomik. Përpos kësaj sfondi i komunizmit apo asaj politikisht korrekt që është globale, që nuk e kemi shpikur ne, por na vjen pak dhe nga jashtë është pjesa e diktaturës, pjesa e kohës kur ti nuk mund të thoje dot mendimit tënd të lirë, pjesa ku ti duhet të heshtje, nëse thoje diçka do të paguaje për atë, pastaj do të bëje një kompromis. Kështu që 50 vite diktaturë kanë ndikuar jo pak tek shoqëria shqiptare./tvklan.al