Në njësitë bashkiake numër 1 dhe 2 në rrugën e Elbasanit gjejmë radhë njerëzish të cilët prej orësh presin të aplikojnë për pasaportat e reja biometrike.

Mësojmë se një pjesë e mirë e tyre janë emigrantë të ardhur me pushime, të cilët shfrytëzojnë ditët në atdhe për t’u pajisur me dokumentet e reja të identifikimit.

Interesimi i qytetareve apo dhe emigrantëve për t’u pajisur me pasaportën e re biometrike, ka bërë që në sportelet e gjendjeve civile të ketë dyndje dhe deri diku të bëhet i papërballueshëm nga stafi i këtyre ndjesive.

Nga aplikimi për pasaportë deri tek marrja e këtij dokumenti nga aplikuesi duhet të paktën të kalojnë 15 ditë.

400 mijë shtetas shqiptare duhet të pajisen me pasaportat e reja deri në fund të 2009. Ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani, ka deklaruar për TV Klan se pajisja me pasaporta biometrike është një standard parakusht për liberalizimin në kohë të vizave për shtetasit shqiptare.

Deri më tani me këtë pasaportë janë pajisur rreth 80 mijë shtetas, që nga 25 marsi ku në vend nisi procesi i aplikimit. Sipas zyrtareve të Ministrisë së Brendshme, numri i personave që aplikojnë në ditë arrin në 2 mijë.

Nga Ministria e Brendshme kemi mësuar gjithashtu se brenda vitit 2010, pasaporta aktuale duhet domosdoshmërish të zëvendësohet me pasaportat e reja biometrike.

Zëvendësimi i tyre pritet të bëhet dhe me një vendim qeverie. Një shtetas shqiptare që aplikon për një pasaportë biometrike duhet që më parë të jetë pajisur me letërnjoftimin elektronik.

Pasaportat dhe kartat e identitetit janë mjete identifikimi tërësisht të kontrollueshme me të gjitha parametrat dhe standardet dhe të një sigurie të lartë./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani