Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ndërrimi i viteve ka sjellë më shumë punë dhe fluks pasagjerësh në aeroportin “Nënë Tereza”. Disa kompani ajrore kanë rritur dhe numrin e fluturimeve kryesisht në vendet fqinje, si Greqi dhe Itali.

Në 24 orë në këtë aeroport kanë fluturuar një mijë pasagjerë, ndërsa dita e sotme sipas shërbimit të kufirit në këtë aeroport, duket se do të jetë një shifër edhe më e lartë. Shumë prej udhëtarëve janë emigrantë të cilët, pasi kanë punuar gjatë gjithë vitit jashtë Shqipërisë, janë kthyer për të kaluar Vitin e Ri me të afërmit.

Qytetarja:- “Kalova Vitin e Ri, u kënaqëm u gëzuam, tani po nisemi drejt Greqisë, drejt Athinës. Uroj gjithë shqiptarët ta kalojnë gëzuar dhe gjithë refugjatët ku janë në botë, të jenë të gëzuar, të lumtur, ju plotësofshin dëshirat të gjithëve”.

Qytetari:- “Jetoj në Itali, isha për pushime, të kaloja Vitin e Ri me familjen dhe mbeta i kënaqur se pashë ndryshime, jo shumë të mëdha por mirë”.

Rregullimet e ambienteve dhe vendosja e rregullave më strikte për sigurinë e aeroportit, ka bërë që gjithçka të kalojë pa probleme dhe fluksi i lartë nuk është shoqëruar me mbërritjen dhe nisjen e avionëve. Janë shtuar gjithashtu dhe grupet e kontrollit nga komisariati i Rinasit, ndërsa nesër pritet të fillojnë fluturimet dhe për ato pak linja që nuk kanë funksionuar për shkak të festës./tvklan.al