Pikat kufitare me Greqinë kanë shënuar një fundjavë fluksin më të madh të kthimit të emigrantëve.

Interesi i tyre për zgjedhjet e 28 Qershorit është i lartë dhe kjo ka bërë që një pjesë e tyre të kthehen familjarisht në atdhe.

Vetëm në 24 orët e fundit në doganën e Kapshticës kanë hyrë më shumë se 6 mijë shtetas, ndërsa gjatë gjithë javës numri i tyre shkon në 24 mijë.

“Duhet të votojnë shqiptarët.”

Gazetarja: Për çfarë?

“Për një jetë më të mirë”.

“Vetë me dëshirën tonë erdhëm të votojmë”.

“Nuk erdha. Erdha me pushime, por nuk erdha për të votuar. Nuk më intereson fare për votimet”.

“Nga Selaniku dhe jetojmë në Korçë. Do votojmë aty.”

“Po vijmë sa herë. Nuk është hera e parë që vijmë. Herët e tjera kemi erdhur. Këtë radhë organizimi është i shkëlqyer. Shumë i mirë është.”

“Çdo vit ndryshon. Çdo vit nuk është ndonjë gjë që s’ndryshon, por tani të shohim kush do ta rregullojë më mirë”.

Që prej mbrëmjes së të premtes në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës, Sopikut dhe Çarshovës kanë hyrë rreth 8 mijë emigrantë.

Vetëm gjatë paradites 83 autobusë dhe 643 automjete janë futur në territorin shqiptar.

“Sigurisht pra. Prandaj erdhëm, u kthyem nga Greqia.”

“Po, për të votuar erdhëm”.

“Duhet të votojmë patjetër ne se jemi qytetarë të Shqipërisë dhe do votojmë për atë forcë politike, e cila zhvillon, jep ndihma për zhvillimin e Shqipërisë.”

Siç konfirmohet nga autoritetet doganore fluksi i vënë re 24 orët e fundit nuk ka krijuar radhë të gjata.

Si pala greke, ashtu edhe ajo shqiptare punojnë me sportele të shtuara. Ritmi i ardhjes së emigrantëve pritet të jetë i lartë edhe gjatë paradites të së dielës./tvklan.al