Bashkimi Europian planifikon që përmes investimeve të drejtpërdrejta ekonomike ta zbusë fluksin e emigrantëve shqiptarë nga Maqedonia që po shënohet pas liberalizimit të regjimit të vizave. Mbështetasi i parë europian që do të arrijë me premtime të këtilla është kryeministri  belg Yves Leterme, i cili do ta vizitojë Maqedoninë më 8 Mars.  

Burime në qeverinë e Maqedonisë  thonë se gjatë qëndrimit të tij në Shkup kryeministri belg do ta vizitojë edhe komunën e Likovës si rajon nga i cili është shënuar  numri më i madh i emigrantëve shqiptarë. Me këtë rast ai do të premtojë projekte konkrete ekonomike për këtë rajon.

Shqetësim për numrin e madh të azilkërkuesve nga Maqedonia në vendet e BE ka shprehur dhe Ambasadori i BE në Shkup Herman Fuere.

Herman Fuere: “Qeveria duhet të ndërmarrë masa për të penguar disa agjenci turistike të mos e keqpërdorin liberalizimin e vizave për të mashtruar qytetarët.”

Zëvendëskryeministri Vasko Naumoski ka tërhequr vëmendjen se qytetarët nga Maqedonia nuk mundet të fitojnë azil në vendet anëtare të BE-së.

Vasko Naumoski: “Ata qytetarë jo vetëm që nuk do të fitojnë të drejtën e azilit, por ekzistojnë gjasa të mëdha që për një periudhë të gjatë ose përgjithmonë të humbin të drejtën për të udhëtuar në vendet e zonës Shengen.”

Pas liberalizimit të vizave në Dhjetor të vitit të kaluar, mijëra familje shqiptare nga Maqedonia kanë emigruar nga vendet e Bashkimit Europian me shpresë se do të fitojnë leje për të punuar dhe për të jetuar atje. Komisioni Europian ka kërkuar nga qeveria që të parandalojë këtë dukuri kurse në ë kundërtën nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë për kthimin e regjimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë.  

Nga Shkupi për TV Klan Hysen Saliu./tvklan.al