Fluturimet direkte Shqipëri-SHBA janë një ndër kërkesat e emigrantëve shqiptarë në Amerikë.

Gjatë takimit me diasporën shqiptare në Nju Jork, Kryeministri Edi Rama tha se aeroporti i Tiranës është në negociata me kompaninë amerikane “Delta” për të mundësuar këtë fluturim.

Aktualisht aeroporti po negocion me kompaninë amerikane Delta për të filluar fluturime direkte nga Amerika në Shqipëri. Nuk e di se kur do përfundojë kjo negociatë. Ndërkohë që ne po bëhemi gati të hapim dhe aeroportin e Vlorës, i cili do të jetë aeroporti me pistën më të gjatë në rajon. Është bërë e tillë edhe për fluturimet transoqeanike dhe jemi duke diskutuar me kompaninë Air Albania për të mundësuar një fluturim të drejtpërdrejtë. Nuk e di kur do të ndodhë, dhe fluturimin e parë do ta bëjmë patjetër këtu në Nju Jork. Arsyeja pse kompania Delta ka shprehur shumë interes është sepse edhe tur-operatorët në Amerikë kanë patur kërkesa të rritura nga qytetarët për të vizituar Shqipërinë me fluturimet direkte”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

/tvklan.al