Në takimin me shqiptarët e Amerikës në Nju Jork, kryeministri Edi Rama u ndal te reforma në drejtësi dhe efektet e saj. Kryeministri tha se reforma dhe organet e reja të drejtësisë “po nxjerrin ujin e zi të korrupsionit”.
Ai shtoi se reforma ka qenë një angazhim prioritar që në programin elektoral të mandatit të parë. Kryeministri u shpreh se njerëzit me pushtet politik tashmë i janë nënshtruar ligjit duke e bërë të qartë se është i barabartë për të gjithë duke arritur qëllimin e saj.
Edi Rama: Për të gjithë ata që duan ta shohin dhe ta dëgjojnë të vërtetën dhe për çdokënd tjetër që do të kuptojë drejt atë që ka ndodhur gjatë kësaj dekade të qeverisjes sonë, e vërteta është e thjeshtë dhe shumë e qartë. Ajo është e shkruar fillimisht në programin elektoral të partisë sonë për zgjedhjet e mandatit tonë të parë, kur reforma në drejtësi ishte e shënuar si angazhim priroritar dhe të gjithë atyre brenda nesh kur shkruajtëm programin që më thoshin si mund ta marrin ne këtë angazhim kur për ta realizuar këtë angazhim duhen shumë më tepër vota në parlament se votat që ne do të marrim edhe sikur të fitojmë zgjedhjet dhe unë përgjigjesha ne duhet jo vetëm ta shkruajmë por duhet ta kthejmë në fiksimin tonë që pa shembur pallatin e korruptuar të drejtësisë dhe pa i hapur rrugën një drejtësie të pavarur nga pushteti politik, dhe të gjitha të tjerat nuk kanë asnjë vlerë.
Kjo është një nevojë kombëtare së cilës i ka ardhur koha dhe duke udhëhequr me këtë bindje ne do ta gjejmë rrugën që t’i përgjigjemi kësaj nevoje dhe që më në fund çdo shqiptar ta shikojë, ta prekë, ta kuptojë se ligji i barabartë për të gjithë nuk është vetëm letër, por është edhe në realitetin e marrëdhënieve me drejtësinë dhe mjafton të shikosh të gjithë kronikën e këtyre viteve pëpjekje kolosale, që nga fillimi i punës për reformën kur ne ishim vetëm dhe kur e vetmja mbështetje që kishim, ishte mbështetja e SHBA dhe BE, të cilët për hir të së vërtetës, edhe ata na shikonin me dyshim se a ishim seriozë deri në fund dhe a do t’i shkonim dot deri në fund kësaj përpjekjeje sepse në thelb ata e dinin shumë mirë që kjo përpjekje kushtin e vet të patjetërsueshëm kishte që ne, partia në pushtet të ngrinim dorën në parlament për të votuar një reformë që i hapte rrugë një drejtësie të pavarur dhe për të hequr duart tona nga drejtësia.
Që nga fillimi i punës për reformën te miratimi i saj në kuvend ku të detyruar nga presioni ekstrem i SHBA dhe BE, kundërshtarët e reformës në drejtësi, ata që sot e gjithë ditën ulërijnë tanimë nga dhimbjet e drejtësisë kundër organeve të drejtësisë, erdhën dhe ngritën dorën për ta miratuar reformën, por kokën e mbanin ulur dhe deri te zbatimi i saj në ditët tona që po e sheh çdo shqiptar i madh e i vogël është përpjekja historike që po jep frytet e veta konkrete dhe që nuk do të ndodhte pa vullnetin e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Rama vlerësoi mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, por theksoi se kjo “reformë nuk do të merrte jetë pa vizionin dhe vendosmërinë për ta kthyer votën e popullit në një fuqi të madhe”./tvklan.al