Lajme Arkiva – TV Klan 2003

FMN-ja kërkon më shumë transparencë të qeverisë në lidhje me buxhetin e vitit 2004. Deklarata bëhet nga përfaqësuesi i rezident i FMN në Shqipëri Jan Peter Olters, në një intervistë për TV Klan.

Jan Peter Olters:- “Unë mendoj që gjithë politikanët dhe ekspertët janë dakord, me këtë dokument që qeveria prezanton në Kuvend nuk është perfekt, lidhur me transparencën. Megjithatë, ne jemi absolutisht dakord, me vlerësimin, që një transparencë e informacionit, e statistikave, nga të gjithë pjesëmarrësit ekonomik është shumë e rëndësishme, për të drejtuar ekonominë shqiptare në mënyrë efektive”.

Olters shprehet pro heqjes së taksës Majko. Sipas tij, buxheti i vitit 2004, duhet të rezervojë një zë të veçantë në shpenzimet kapitale, për rrugën Durrës-Kukës.

Jan Peter Olters:- “Ekziston shqetësimi, që në fund të procesit, rruga Majko nuk do të përfundohet, për lëvizje mes Durrësit dhe Morinës, ose paratë publike për këtë rrugë nuk do të përdoren në mënyrë efektive. Unë mendojë, që është shumë e rëndësishme për të planifikuar seriozisht financimin e rrugës në kontekstin afatmesëm, për të pasur në mbështetjen e shtetit 2004, një zë shpenzimesh për këtë rrugë”.

Olters shprehet kundër përshkallëzimit të taksës së tvsh.

Jan Peter Olters:- “Sipas eksperiencës në vende të tjera, në tvsh me 2% taksim, këtu janë shumë probleme shtesë, veçanërisht në një vend me administratë fiskale të duhur”. Ulja në disa nivele e taksës së tvsh, kërkohet nga biznesi në kuadër të paketës së re fiskale./tvklan.al