Biznesi i vogël dhe i mesëm do të asistohet me kredi me terma të butë. Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli deklaroi se një fond i qeverisë italiane prej 30 milionë eurosh do të vihet në dispozicion të biznesit të vogël dhe të mesëm brenda këtij viti.

Anastas Angjeli: “Linjat e kredisë, të cilat do të afrohen për një grup bankash tregtare private me qëllim kreditimin me kushte shumë të lehta të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare në drejtim të përmirësimit të shërbimeve që këto banka afrojnë për SME-në. Është fjala për biznese që zhvillohen në territorin e Shqipërisë, pa kufizim, të cilat mund të jenë kompani shqiptare, mund të jenë kompani të huaja, mund të jenë të përbashkëta. Unë besoj se përpara fundit të këtij viti ne do ta bëjmë efektive atë duke respektuar gjithë procedurat në qeveri dhe në parlament.”

Sipas Angjelit, priten të përzgjidhen disa banka të cilat do të përdorin këto fonde për kreditë ndaj bizensit të vogël dhe të mesëm që zënë 99% të numrit të përgjithshëm të bizneseve. Afro 2.5 milionë euro do të vihen në funksion të kredive të pakthyera nga ky fond. /tvklan.al