Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rritur parashikimin e tij mbi ecurinë e ekonomisë botërore dhe u ka dhënë vendeve në zhvillim një rol udhëheqës në një kohë që shtetet e pasura të vazhdojnë të vuajnë nivelet e larta të papunësisë dhe borxhin publik.

Rritja ekonomike për këtë vit do të jetë 3.9%, 0.8% më e lartë se parashikimi i fondit në muajin Tetor.

Për vitin 2011 rritja parashikohet të arrijë në 4.3%. Ekspertët thonë se vendet e zhvilluara do kenë një ekonomi më të qëndrueshme, por problemet nuk do mungojnë.

Në vendet e pasura, sistemi financiar mbetet i dobët dhe bankat do kenë nevojë për më shumë kapital, shprehen ata.

Të ndara në grupe, ekonomitë e mëdha e të zhvilluara do zgjerohen 2.1 dhe 2.4% për 2010 dhe 2011.

Për vendet në zhvillim, rritja ekonomike parashikohet 6%. Në vitin 2011, kjo rritje do të arrijë në 6.3%.

Ekonomia e Kinës, një vend që gjithmonë ka rezervuar shifra impresionuese, këtë vit do rritet 10%, ndërsa në 2011-tën kjo rritje do bjerë në 9.7%.

Në eurozonë, vetëm Spanja do vazhdojë të qëndrojë në recesion. Për këtë vit ekonomia në këtë vend do kontraktohet me 0.6%, në një kohë që në vitin 2011 do rritet në 0.9%.

Raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon se gjatë këtij viti për shumë banka qendrore do të jetë e vështirë mbajtja e normave të ulëta të interesit.

Për disa kohë, inflacioni do vazhdojë të jetë i ulët, e papunësia e lartë. Fondi sugjeron që qeveritë duhet të vazhdojnë të mbështesin me politikat e tyre fiskale ekonomitë dhe se implementimi i paketave stimuluese në ekonomi duhet të vazhdojë./tvklan.al