Seanca e fundit stërvitore hodhi akoma dhe më shumë dritë rreth skemës që trajneri Sylvinho do zgjedhë për të sfiduar Ukrainën. Në takimin e mbrëmjes së sotme, në orën 20:45, kuqezinjtë duket se kanë përcaktuar edhe formacionin titullar.

Jasir Asani ka hedhur pas krahëve dyshimet, duke marrë pjesë në stërvitje me grupin. Gjithsesi, gjendja fizike e anësorit nuk bind dhe për këtë shkak, braziliani duhet të rimodelojë repartin. Në rolin e Asanit nuk ka një futbollist me karakteristika të ngjashme të tij. Vendin e Asanit në të djathtë të sulmit mund ta marrë Taulant Seferi.

Por nuk përjashtohet që të ketë edhe një ndryshim të skemës, me Uzunin dhe Bajramin që mund të vendosen pas sulmuesit kryesor. Gjithsesi, edhe Muja është një kandidat për të marrë fanellën e titullarit.

Mirlind Daku rikthehet nga pezullimi dhe i gatshëm për të kontribuar ndaj Ukrainës. 26-vjeçari besohet se do ulë në stol Indrit Tucin, tepër i konsumuar fizikisht në përballjen me Republikën Çeke. Ndërkaq, pjesa tjetër merr konfirmime, duke përjashtuar ndonjë befasi të fundit. Në këtë mënyrë, Strakosha do të jetë në portë, teksa reparti i mbrojtjes me Balliun, Ajetin, Ismajli dhe Mitaj.

Mesi i fushës do formohet sërish nga Asllani, Ramadani dhe Laçi, ndërsa në të majtë të sulmit, Nedim Bajrami shihet sërish i favorizuar kundrejt Arbër Hoxhës. Sfida mes Shqipërisë dhe Ukrainës do të luhet sonte në “Air Albania” dhe do të transmetohet ekskluzivisht në Televizionin Kombëtar Klan.

Klan News