Në një stadium të tejmbushur, kombëtarja shqiptare do të kërkojë ta kurorëzojë me fitore eksperiencën në Ligën e Kombeve 2024-2025. Rreth 22 mijë tifozë do ta ndjekin nga shkallët e impiantit kombëtar përballjen mes kuqezinjve dhe Ukrainës, e mijëra të tjerë ekskluzivisht dhe falas në televizionin kombëtar “Klan”.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, tepër të rëndësishëm për objektivat e kombëtares sonë në grupin B1 të Ligës së Kombeve, do të jenë të angazhuar qindra punonjës policie me synim për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

Kufizimi në rrugët që të dërgojnë drejt stadiumit “Air Albania’ nisin pas orës 15:00, disa orë para sfidës të programuar për tu zhvilluar për në 20:45. 

Gjithashtu, Policia e Shtetit i ka bërë thirrje tifozëve që të kenë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve me biletat në tregun e zi, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin.

Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar.

Ndërkaq, ndalimi i banderolave me përmbajtje raciste, por edhe mjetet e forta nuk do të lejohen për tu futur në stadium. Dënimet për aktet e dhunës janë të rënda, pasi variojnë nga 6 muaj deri në 3 vite burg.

Klan News