Shqipëria kërkon të thithë investimet britanike, këtij qëllimi i ka shërbyer edhe forumi i parë i investimeve Britani e Madhe-Shqipëri që u mbajt në Londër. Ministra, bankier dhe mjaft sipërmarrës shqiptarë ishin pjesë e këtij forumi. Gjatë prezantimeve u ekspozua zhvillimi ekonomik i vendit si dhe u shpalosën mundësitë e investimit në Shqipëri.

Genc Ruli: “Faktikisht nuk kemi ndonjë rekord të lartë të investimeve britanike. Nëpërmjet forumeve të tilla ne mundohemi të sjellim një informacion shumë më të azhurnuar, shumë më të plotë se kush janë strategjitë, kush janë sektorët prioritar, Shqipëria është në prag të ndërmarrjes së disa projekteve madhore të infrastrukturës bazë. Faktikisht që nga viti që vjen projektet më madhore në infrastrukturë do të jenë portet.”

Një projekt konkret parasheh ngritjen në Vlorë të portit më të madh të kontenierëve për Adriatikun. Turizmi është një tjetër fushë me mjaft interes për investime britanike në vendin tonë.

Ylli Pango: “Interesimi i investitorëve ka qenë i madh, unë kam pasur 2 investitorë të njohur britanik kohët e fundit për të investuar në bregdetin shqiptar, e rëndësishme është që ne të arrijmë Shqipërinë gjithnjë e më të njohur dhe ky forum është vërtetë nga më të rëndësishmit.”

Ambasadori shqiptar në Londër konfirmon se ka mjaft kompani që kërkojnë të ndërtojnë qyteza turistike në bregdetin shqiptar. Ky forum i mundësuar nga ambasada shqiptare në Britani në bashkëpunim me Bankën Raiffaisen do të kthehet në një traditë të përvitshme./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro