Një fotografi e shfaqur në Kuvend dhe e postuar në rrjetet sociale nga ish-Kryeministri Sali Berisha, ka sjellë reagimin e Gardës së Republikës këtë të enjte. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Garda e Republikës mohon që personat e shfaqur në foto të jenë punonjës së Gardës, e madje sqaron se imazhi nuk është shkrepur në vendin tonë, por në Itali.

“Garda e Republikës shpreh keqardhjen më të thellë për një sulm publik kundër saj, i cili cënon imazhin, integritetin dhe dinjitetin e kësaj trupe në shërbim të autoriteteve shtetërore e të garantimit të sigurisë së aktiviteteve të tyre”.

Ky institucion, thuhet në reagim, që prej krijimit të vet e kryen veprimtarinë në kushte jo të lehta, ndjehet edhe më i keqardhur për faktin se është sulmuar përsëri publikisht, nga një ish-kryeministër, të cilit i ka shërbyer dhe vazhdon t’i shërbejë me përkushtimin më të plotë.

“Sqarojmë opinionin publik dhe vetë shkelqësinë e tij, zotin Sali Berisha, se fotoja e propaganduar sot prej tij në Kuvendin e Shqipërisë, si pjesë e veprimtarisë së Gardës së Republikës, nuk ka asnjë lidhje me Gardën e Republikës dhe as me zonën e banimit e kryeministrit aktual të Shqipërisë. Po ashtu personat në foto nuk janë punonjës të Gardës së Republikës”.

Në bazë të verifikimeve të bëra prej Gardës rezulton se jo vetëm kjo foto nuk ka lidhje me Gardën e Republikës, po nuk ka lidhje as me Shqipërinë. “

Fotoja është bërë në një provincë të Italisë dhe institucioni ynë disponon edhe gjeneralitetet e personave në foto, të cilët janë emigrantë shqiptarë në Itali”.

“Duke i kërkuar publikuesit dhe komentuesit të fotos, shkëlqesisë së tij zotit Sali Berisha, që të tregojë respekt për Gardën e Republikës dhe të mos e përfshijë këtë institucion në vorbullën e luftës politike, mbetemi në dispozicion të zotërisë për çdo verifikim të nevojshëm përpara sesa të bëhemi objekt i sulmeve politike mbi bazë shpifjesh”,

përfundon reagimi i Gardës.

/tvklan.al