I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një të ardhme evropiane. Në fakt perspektiva mund të variojë nga performanca individuale e shteteve, por në fund qëllimi i vetëm i Bashkimit Evropian është të fusë Ballkanin në rrugën e integrimit.
Këtë e konfirmoi Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Ualter Shtajnmajer, gjatë një interviste për agjencinë Reuters në Berlin.
Frank Ualter Shtajnmajer: “Ky është objektivi ynë më i madh. Nuk dua të mbivlerësoj qëllimet tona, por është fakt tashmë se perspektiva evropiane ekziston dhe do të sigurojë qëndrueshmërinë afatgjatë brenda kufijve të Ballkanit Perëndimor.”
I pyetur për regjimin e liberalizimit të vizave me këto vende Shtajnmajer tha se:
Frank Ualter Shtajnmajer: “Ajo çka i bashkon këto vende është dëshira që ne të krijojmë më shumë mundësi udhëtimi pa viza për këta qytetarë dhe unë mendoj se jemi në rrugën e duhur. Jam i bindur që do të kemi progres në liberalizmin e vizave. Negociatat aktuale variojnë nga shtetet individuale, por unë nuk mendoj se në fund komisioni evropian do të vendosë një bllokadë ndaj tyre”.
Edhe për shefin e diplomacisë suedeze, Karl Bild, e ardhmja e Ballkanit është Bashkimi Evropian. Gjatë një fjalimi në Dubrovnik të Kroacisë ku po merr pjesë në samitin BE dhe NATO transformim i Evropës Juglindore, Bild tha se ky rajon do të ketë ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian.
I të njëjtit mendim është edhe zv/sekretari amerikan i shtetit, Xhejms Stajnberg, i cili tha se rruga për në NATO dhe BE mbetet e hapur për të gjitha vendet në rajon./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle