Bumi turistik që ka përjetuar Shqipëria në vitet e fundit ka zënë sërish vend në faqet e mediave ndërkombëtare. Kësaj here është përditshmja gjermane “Frankfurter Neue Presse”, e cila shkruan se Shqipëria është destinacioni i ri më i famshëm në Evropë.

Për këtë ajo i referohet jo vetëm numrit të turistëve, që sipas saj ka shënuar rritjen e katërt më të madhe në mbarë botën, por edhe faktit se në vendet e BE-së dhe veçanërisht në Gjermani, Shqipëria është konsideruar prej kohësh si destinacioni më i rekomanduar kur bëhet fjalë për pushime të lira, natyrë të bukur dhe arkitekturë historike.

Për kryeministrin Edi Rama, në një intervistë të dhënë për këtë media, kjo përbën një levë të madhe për prosperitet.

“Kjo është një gjë e madhe në shumë mënyra. Nga njëra anë, Shqipëria kishte një reputacion të keq në Gjermani për një kohë të gjatë. Shqipëria përmendje për krimin, korrupsionin dhe si një vend i errët. Por kjo po ndryshon jashtëzakonisht për shkak të rritjes së turizmit.”

Më tej ai thekson se turistët gjermanë janë një “fat” për Shqipërinë, pasi prania e tyre përfaqëson një sukses të qendrueshëm si për turizmin ashtu edhe për ekonominë.

“Gjermanët shpesh bëjnë 30 ditë pushime dhe zakonisht marrin vetëm disa ditë për pushime më të shkurtra. Gjithnjë e më shumë ata po kalojnë disa ditë në Shqipëri dhe për ne ky është një fat.”

Artikulli ngre edhe shqetësimin që ekziston sot në shumë vende të tjera të zhvilluara turistike, dhe që ka të bëjë me pasojat që mund të sjellë turizmi masiv. Por sipas autores, kryeministri Rama nuk sheh asnjë rrezik të turizmit masiv, të paktën për momentin.

Tv Klan