Lajme Arkiva 2003
Forumi rinor eurosocialist shqiptar fillon me negociatat me Partinë Socialiste për t’u paraqitur me kandidatët e tij më të mirë në zgjedhjet e ardhshme vendore. Kryetari i FRESSH-it Gjergj Koja, ka njoftuar se janë udhëzuar kryetarët e rretheve për të filluar bisedimet. Ndërkohë kryetari Koja i pyetur për debatet që ka patur kohët e fundit mes kryetari të Partisë Socialiste Fatos Nano dhe ish presidentit Meidani është përgjigjur se FRESH-i i gjykon si të parakohshme këto debate në një kohë që fushata e ardhshme është shumë e rëndësishme për Partinë Socialiste.
Gjergji Koja: Ne eurosocialistët gjykojmë se përpara kemi një fushatë zgjedhore për pushtetin vendor, që mendoj se është shumë e rëndësishme për elektoratin e Partisë Socialiste dhe do të thoja më gjerë në të mirë të qeverisjes së Shqipërisë dhe shumë më vonë është kongresi i Partisë Socialiste i cili gjithashtu do të ketë fushatën e tij. Pra mendoj se është ende shumë e parakohshme që tu fryhet këtyre debateve kaq të ashpra ndërkohë që kemi një sfidë tjetër përpara siç janë këto zgjedhje. Për më tepër bëhet fjalë për një përplasje midis institucionit të kryetarit të partisë dhe kryeministrit dhe anasjellët edhe të zotit Meidani i cili gjithashtu ka krijuar një profil të ri ku në kohën kur ishte President i Republikës, larg konceptit totalitar dhe një profil që në fakt i nderoi edhe socialistët.
Ndërsa nënkryetari i ri i forumit Dritan Ylli ka dënuar edhe ngjarjet e fundit në media dhe kërcënimet ekonomike që janë bërë ndaj tyre.
Dritan Ylli: Ne i dënojmë si një akt të paprecedent që ushtrohet ndaj lirisë dhe pavarësisë së medias qoftë ajo e shtypur apo elektronike dhe do të ndikojmë me të gjitha mundësitë tona që të mos përsëriten akte të tilla. Liria e fjalës dhe e mendimit është e sanksionuar në Kushtetutë dhe nuk duhet të lejohet nga askush që ajo të mohohet apo të sanksionohet sado pak./tvklan.al