Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale pamje nga Spitali Infektiv. Nga aty erdhën rrëfime të mjekëve dhe pacientëve të cilët gjenden çdo ditë përballë vështirësive që ka ofruar pandemia e koronavirusit.

Drejtuesja e këtij institucioni, Najada Çomo ka treguar për mjekimet dhe protokollet që përdoren për pacientët në strukturën Covid 1. Ajo u shpreh se në dispozicion të pacientëve janë të gjitha medikamentet, ndër to edhe Remdisivir. Por për këtë ilaç, mjekja e njohur u shpreh se nuk mund të përdoret në masë, por vetëm në kushte spitalore nga ata që janë në gjendje të rëndë.

“Mjekohen me këtë lloj bari pacientët që kanë kritere nga ana klinike. Ky lloj bari nuk mund të përdoret në masë, dhe përdoret vetëm në kushte spitalore nga ata persona që janë në gjendje të rënduar”, tha ajo.

Çomo u shpreh se kapacitetet e Spitalit Infektiv nuk janë ezauruar.

“Kapacitete e Spitalit Infektiv nuk janë ezauruar. Kemi shtim të numrit të të shtruarve. Sot që flasim kemi kapacitete të paezauruar për të shtruar pacientët që janë të infektuar me Covid. Mund të presim edhe ata persona që kanë nevojë për ndihmë mjekësore”, tha ajo.

Sa i përket reanimacionit, Çomo tha se 1 ose 2 shtretër lihen gjithmonë bosh për t’u përdorur për rastet emergjente kur gjykohet se një person ka nevojë për terapi intensive.

Rrëfime pati edhe nga qytetarët e infektuar. Ata falënderuan infermierët dhe mjekët për shërbimin shëndetësor. Gjithashtu bënë thirrje për kujdes.

Qytetari 1: Unë provova vetë me fakte, shërbimin e shkëlqyer. Mjekimi është i kompletuar. Gjëja më e mrekullueshme që nuk e kanë pasur më përpara është trajtimi psikologjik. Gjithë stafi bën një trajtim psikologjik që mbi të gjitha kjo sëmundje ka nevojë. Me këtë rast ë vjen keq dhe nuk mund të rri pa anatemuar korbat e politikës që duna të varrosin shpresat dhe duan të mohojnë çdo gjë të mirë që është bërë.

Qytetari 2: U them ruhuni se nga jashtë e marrin si lojë.

 Mësohet se në Spitalin Infektiv është ngritur një sistem komunikimi i vazhdueshëm me familjarët e të shtruarve. /tvklan.al