Pacientët në pritje për të marrë mjekimin
“Ky fluks përpara Urgjencës së Spitalit Infektiv është pamja e të paktën 3 ditëve të fundit. Në parkim ndodhen rreth 10 autoambulanca, me pacientë brenda tyre, që presin edhe në disa orë për të marrë mjekimin”.
Çdo 20 minuta një autoambulancë e re i drejtohej hyrjes së spitalit karantinë. Pjesa më e madhe e tyre qëndroi aty derisa për pacientët që dyshohen për Covid të lirohej një shtrat brenda pavijonit. Ankthi përfshiu familjarët e pacientëve që prisnin jashtë rrethimit, duke kërkuar t’i marrin sërish në shtëpi.
Qytetarja: Thirrëm urgjencën e morën. Unë dua ta marr, por nuk ma jep njeri. Ta çoj në shtëpi fare.
Gazetarja: Përse do që ta marrësh?
Qytetarja: Si përse? E shikon sesi është situata?! Ka 3 orë në ambulancë.
Tensioni përfshiu edhe stafin mjekësor, tonet e larta të të cilëve u dëgjuan deri jashtë zonës së rrethimit.
Të tjerë qytetarë presin prej ditësh përpara spitalit Covid 1 për të mësuar rreth gjendjes së familjarëve që kanë të shtruar aty.
“E çuam në Berat, na nisën për në Tiranë. Që kur e prumë këtu nuk dimë asgjë. Nuk shohim asnjë mjek e asnjë infermier”.
“Kam djalin, e kam sjellë që në orën 2:00 të natës dhe nuk kam marrë vesh gjë. I thashë 1 polici aman shko merr vesh ça u bë me djalin, a është bërë më mirë apo më keq”.
Numri i lartë i infektimeve ditore ka sjellë edhe fluks të rasteve urgjente që i drejtohen spitalit Covid 1. Në të tre spitalet janë mbi 350 pacientë që po trajtohen, duke çuar drejt ezaurimit të kapaciteteve në dispozicion.
Tv Klan