Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Si pasojë e motit të keq, në një nga komunat e rrethit të Elbasanit, shtëpitë janë mbuluar nga dheu. Rrëshqitja e tokës, ka detyruar 30 familjarë të fshatrave Gur i Zi dhe Sericë të komunës së Labinotit të kërkojnë ndihmë përpara prefekturës. Të ndodhur në qiell të hapur mes shiut, erës dhe të ftohtit, 30 kryefamiljarët, në emër të 200 banorëve, japin alarmin SOS për ndihmë nga shteti.
“Shtëpiat janë shemb, po rrimë me andrra, gurët përmbi shkamb vijnë përsipër dhe s’po dimë gjë se çfarë të bëjmë”.
“Na u kanë shembur shtëpiat, na është shembur dheu dhe po thuajse jemi në qiell të hapur. Kemi ardhur këtu para prefekturës me qëllim që të gjejmë një rrugëzgjidhje se jemi shumë keq, jemi në rrezik”.
“Është rrëshqitje masive e dheut nga lartë dhe e ka marrë me gjithë shtëpi, se ku do ndaloj tani nuk e dimë. Ky problem ka qenë i vazhdueshëm dhe asnjë lloj zgjidhje nuk kemi marrë”.
Ndërsa sipas prefektit:
Qazim Sejdini:- “Në këto momente që flasim, jemi para një situate mjaft kritike, në dy fshatra, në Gur të Zi deh Sericë, për të cilat pritet urgjentisht vendimi i Ministrit të Pushtetit Vendor, për sistemimin e familjeve të Gurit të Zi dhe depot e rezervave të shtetit në Gurin e Zi dhe depot e rezervave të shtetit të Gurit të Zi dhe për sistemimin e 18 familjeve të zonës së Saricës, njëkohësisht gjatë gjithë kësaj periudhe ne kemi hasur vështirësi të qarkullimit rrugor, që vijnë jo vetëm nga reshjet e dëborës dhe nga ngricat, por vijnë edhe nga shembjet masive”.
Rruga nacionale është bllokuar nga rrëshqitja e dherave dhe rënia e gurëve. Janë regjistruar gjithashtu aksidente të lehta, por pa pasoja për jetën. Gjithashtu lumi Shkumbin ka dalë jashtë shtratit dhe ka përmbytur toka bujqësore dhe rrezikon njëkohësisht shembjen e shtëpive. Në prefekturë është ngritur shtabi i emergjencës që është duke punuar për rastet e fatkeqësive natyrore./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti