Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e parlamentit të  Kosovës për të autorizuar Forcën e Sigurisë që të marrë pjesë në misione paqeruajtëse në botë në bashkëpunim me ushtrinë amerikane. Historike e quan kreu i shtetit shqiptar vendimin, ndërsa thotë se Kosova meriton të jetë sa më shpejt anëtare e NATO-s dhe do të ketë gjithmonë mbështetjen e Shqipërisë në këtë drejtim.

“Kosova dëshmon qartë çdo ditë se është jo vetëm një faktor i rëndësishëm për paqen, stabilitetin e sigurinë në rajon, por edhe promovuese e këtyre vlerave në botë. Kosova e meriton plotësisht të jetë sa më parë anëtare e NATO-s dhe do të ketë mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë në këtë drejtim”, shkruan Meta.

Kuvendi i Kosovës miratoi të martën me 92 vota pro vendimin e qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione mbështetëse jashtë vendit në kuadër të Ushtrisë Amerikane./tvklan.al