Asnjë fugon pasagjerësh që vjen nga rrethet nuk lejohet të marrë pasagjerë në kryeqytet, por duhet të kthehet bosh në vendin e origjinës.

Pavarësisht kësaj shumë prej tyre nuk e respektojnë këtë rregull, madje ato duke ndaluar për të marrë pasagjerë shpesh janë shkaktarë të kaosit që krijohet në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Një nga pikat më problematike mbetet Rruga e Elbasanit, ku siç shihet edhe në këto pamje, shoferët e mjeteve taksi 8+1 në kundërshtim me rregulloren ndalojnë për të marrë pasagjerë aty ku të munden. 

Disa prej kundravajtësve janë gjobitur disa herë nga policia rrugore.

Krenar Ahmeti: “Këto mjete të transportit publik i sjellin ngarkesa trafikut, veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe ne gjithmonë pa ndërprerje kemi aplikuar ndëshkimet administrative që parashikohen në bazë të kodit rrugor. Gjobat e aplikuara ndaj tyre mund ta kalojnë ndoshta edhe disa fish licencën për të cilën ata paguajnë, por ne do të kalojmë në një fazë të dytë, etapë të dytë për të aplikuar dhe nene të caktuara që e parashikon ligji deri edhe në bllokimin e mjeteve”.

Për të shmangur kaosin që shkaktohet në rrugët kryesore pikërisht nga këto mjete bashkia e Tiranës ka vendosur disa stacione për qëndrimin e tyre, por sërish drejtuesit e mjeteve bredhin në të gjitha rrugët në kërkim të pasagjerëve./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami