Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar për arrestimin e Gëzim Çelës në Kosovë, i shpallur në kërkim për trafik droge.

Operacioni për kapjen “baronit të drogës” në Ferizaj u emërtua “Fundi i trishtë”.

Gëzim Çela (Çelaj) 55 vjeç ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjithashtu, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi ish-Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 10 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municione luftarake”, pasi më datë 12.06.2014, në orët e para të mëngjesit, është kapur në flagrancë shtetasi R. H., me lendë narkotike kokainë, e cila ishte nisur nga Kosova në Shqipëri, për llogari të shtetasit  Gëzim Çelaj. Në banesat e këtij të fundit, në Kurbin dhe në Tiranë, janë ushtruar kontrolle dhe janë gjetur dhe sekuestruar 207 kg kanabis sativa, 22 kg heroinë, 500 gramë kokainë dhe 14 armë zjarri të llojeve të ndryshme. 

55-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Interpol Roma, Itali, pasi në vitin 2012, autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 19 vjet, 9 muaj e 29 ditë burgim, për kryerjen e veprave penale “Organizator i migrimit ilegal” dhe “Organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni”.

Ndërsa Policia e Kosovës bën të ditur se Gëzim Çela, në momentin e arrestimit, ka qenë nën shoqërinë e dy grave nga Shqipëria dhe një burri nga Kosova. Ky i fundit ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, Gëzim Çelën. Arrestimi është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt dhe hetuesit e anti-drogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të Policisë së Kosovës.

Në këtë banesë u gjet edhe një kallashnikov AK-47 me 15 fishekë.

/tvklan.al