Bamirësia nuk të varfëron. 2020 e vërtetoi sërish këtë shprehje! Viti që lamë pas, ka patur thirrje të vazhdueshme për ndihmë, për nevoja të lindura nga tërmeti, apo dhe histori njerëzish në nevojë.
Në një ceremoni virtuale, Fundjavë Ndryshe nderoi me Çmimet e Mirënjohjes 4 kompani dhe individë për mbështetjen e kauzave sociale në shoqëri.
Në fokus ishte ndihma dhe kontributi i dhënë gjatë emergjencës së tërmetit të 26 nëntorit, ku me mijëra persona dhe kompani iu bashkuan thirrjes për bashkim nga “Fundjavë Ndryshe”. Përfaqësuesit e kompanisë Philip Morris në Shqipëri kanë ndjekur nga afër rastet duke dhuruar 6 shtëpi, dy në Tiranë dhe 4 në Durrës për familjet që mbetën në qiell të hapur. E për këtë arsye mirënjohja nga Fundjavë ndryshe nuk mungoi.
Ndërsa vlerësimi i fondacionit shkon për çdo person dhe biznes që dhanë ndihmën e tyre, kontribut të jashtëzakonshëm solidariteti kanë dhënë kompanitë ndërkombëtare Philip Morris në Shqipëri për mbështetjen e mundësimit të apartamenteve për familjet e prekura nga tërmeti, si dhe Amazon, e cila dërgoi disa kamionë me ndihma në Qendrën e Solidaritetit, për t’u shpërndarë më pas nga stafi i “Fundjavë Ndryshe”.
Po ashtu u vleresua këngëtari i mirënjohur nga Kosova, Mozzik, i cili iu bashkua fushatës për mbledhjen e të ardhurave nga të gjithë shqiptarët për t’iu gjendur pranë familjeve të prekura.
Një çmim tepër i veçantë ishte dhe për Mia Mehmedi, e cila u shpreh e gatshme për dhurimin e e veshkës së saj pasi u njoh me rastin e Lulzimit dhe dy fëmijëve të tij të prekur nga një sëmundje e rëndë e veshkave dhe kërkonin ndihmë për t’u kuruar në Itali.
Misioni i “Fundjavë Ndryshe” është lufta kundër varfërisë, një luftë që në themel të saj ka zhvillimin e shoqërisë. “Fundjavë Ndryshe” e ka orientuar veprimtarinë e saj në integrimin social të individit në shoqëri, duke kaluar së pari përmes etapave të mbështetjes ekonomike, shëndetësore e psikologjike.
Misioni i Fundjavë Ndryshe vazhdon, ndaj mos harroni se “Bamirësia nuk të varfëron”.