Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi disa takime me mbështetës e simpatizantë të kësaj force politike në Roskovec e Portëz të qarkut të Fierit.
Duke u ndalur tek bujqësia Meta tha se programi i LSI-së do ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë ekonomike në të cilën është futur.
Ilir Meta: “Kemi një program të qartë për subvencionimin e fermerëve shqiptarë. Kemi një program të qartë për të ulur importet ushqimore duke rritur prodhimin vendas, kemi një program të qartë për të luftuar papunësinë përmes programeve të punësimit.”
Meta foli dhe mbi punësimin duke garantuar se pas zgjedhjeve të 28 Qershorit kjo forcë politike do të jetë e aftë të punësojë si dhe të paguajë 100% sigurimet shoqërore./tvklan.al
Koka: Pollo: Qeveria jonë, pro biznesit
Në një takim me sipërmarrës të biznesit beratas zv/kryeministri Genc Pollo foli mbi politikat fiskale të ndërmarra gjatë 4 viteve të qeverisjes së djathtë.
Genc Pollo: “Në 2006-tën ne përfituam pragun e parë dhe një nga projektet ishte pikërisht sistemi elektronik për marrëdhëniet midis biznesit dhe tatimeve dhe një nga arritjet që ka kursyer për biznesmenët shumë orë pritje, shumë angari burokratike, por edhe për një pjesë të mirë tyren ryshfetet e detyruara të zhvatura me zor nga nëpunës të pandershëm të tatimeve u hoq sepse gjithkush tani mund ta shkarkojë nga interneti ta plotësojë dhe të bëjë dorëzimin.”
Pollo foli dhe mbi uljen e taksave si dhe shkurtimin e afateve kohore për regjistrimin e biznesit të cilat e kanë kthyer Shqipërinë në një vend ku edhe biznesi i huaj ka rritur ndjeshëm investimet./tvklan.al
Koka: Anderholt: Shqipëria, së shpejti pjesë e BE-së
Kryerepublikani Fatmir Mediu priti në selinë qëndrore të Partisë Republikane kongresmenin amerikan, Robert Anderholt.
Në këtë takim u diskutua mbi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve si dhe reformat e ndermarra ne Shqipëri përgjatë këtyre katër viteve.
Kongresmeni amerikan duke u ndalur në progresin e Shqipërisë shprehu bindjen se krahas NATO-s Shqipëria do të arrijë të bëhet së shpejti pjesë e Bashkimit Evropian.
Nga ana e tij kreu republikan konfirmoi fjalën e kongresmenit duke ritheksuar angazhimin e qeverisë shqiptare për ta bërë realitet antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian./tvklan.al
Koka: Blushi: Ne do të ngrejmë ministrinë e fshatit
Kandidati për deputet në qarkun e Korçës, Ben Blushi, pati disa takime me banorë dhe mbështetës në fshatin Vashtemi.
Duke u ndalur shtëpi më shtëpi Blushi ka dëgjuar problemet dhe shqetësimet e njerëzve në këtë zonë, e cila sipas tij është harruar nga qeveria.
Ben Blushi: “Fshati është i varfër dhe qyteti e vuan. Ai e blen më shtrenjtë edhe harxhon më shumë lekë, kështu që ne do i ftojmë nga fshati.”
Sipas Blushit me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste fshati do të ketë një ministri të veçantë për problemet e veta./tvklan.al
Koka: Ceka: Kredi afatgjatë për bujqësinë
Kreu aleancist, Neritan Ceka, në vijim të turit të tij elektoral në qarkun e Fierit është ndalur në komunën Golem të rrethit të Lushnjës.
Gjatë bashkëbisedimit me fermerët Ceka ritheksoi angazhimin e qeverisë në katër vitet e ardhshme për mbështetjen e bujqësisë.
Neritan Ceka: “Jemi në fermën e Mehdi Sulovarit në komunën e Golemit. Një sipërfaqe e mbjellë me domate vetëm me kontributin e vet, por dhe me një ndihmë akoma minimale 200 mijë lekë të reja nga shteti, dmth, nga banka. Çfarë kërkon nga katër vitet e ardhshme?”
Mehdi Sulovari: “Po ne kërkojmë që sidomos këto plehrat, se janë shumë të shtrenjta, drejt me thënë”.
Neritan Ceka: “Një mbështetje për kryesisht për…”.
Mehdi Sulovari: “Kryesisht për plehrat…”.
Neritan Ceka: “Për plehrat edhe për ndoshta për mekaniken edhe për…”.
Mehdi Sulovari: “Kryesisht për plehrat edhe për këto pesticidet”./tvklan.al