Katër shtete të G20 kanë hartuar një mocion ku kërkojnë që miliarderët e botës të paguajnë një taksë të paktën 2% mbi pasurinë e tyre.

Propozimi është bërë nga ministrat e Brazilit, Gjermanisë, Spanjës dhe Afrikës së Jugut. Ata kërkojnë që 3 mijë miliarderët e botës të paguajnë një taksë minimalisht 2% të pasurisë së tyre.

Kjo taksë do të mbledhë në vit 250 miliardë Paund që do të përdoren për të luftuar varfërinë në botë, pabarazinë dhe ngrohjen globale.

Këto 4 shtete po lobojnë që nismës së tyre t’i bashkohen edhe vende të tjera. Ata thonë se shuma vjetore që do të mblidhet nga taksa 2% ndaj 3000 miliarderëve të botës do të mjaftonte për të përballuar kostot e shkaktuara nga ngjarjet ekstreme të motit vitin e kaluar.

“Është momenti që komuniteti ndërkombëtar të merret seriozisht me trajtimin e pabarazisë dhe të mirat publike globale”, thanë ministrat e 4 shteteve në një prononcim për “The Guardian”.

Brazili, që kryeson G20 të vendeve kryesore të zhvilluara dhe në zhvillim, e vendosi në rendin e ditës taksën për miliarderët në takimin e ministrave të Financave.

Franca ka shprehur mbështetje për një taksë mbi pasurinë. Ndërsa SHBA, megjithëse nuk e mbështet një taksë globale mbi pasurinë, nuk e kundërshtoi nismën.

Ky propozim do të diskutohet sërish në mbledhjen e G20 në muajin Qershor.

/tvklan.al