Presidentja e radhës së G20-s, Arabia Saudite drejton samitin dyditor të 20 vendeve më të fuqishme të botës (21-22.11). Një vend që është në qendër të kritikave për shkak të situatës së të drejtave të njeriut aty.
Salman ibn Abd al-Aziz Al Saud, mbreti 84 vjeçar i Arabisë Saudite me shëndet të dobët e drejton samitin virtual të G20-s që filloi të shtunën (21.11) në Riad e përfundon të dielën. Pandemia e COVID-19, që është edhe tema qendrore e konferencës me vídeo e bën një takim personal të pamundur. Që në mars grupi i 20 vendeve më të fuqishme e atyre në ekspansion u takua në një takim të jashtëzakonshëm. Atëherë mbreti Salman me zë të dobët e fjalë të bukura ngriti lart bashkëpunimin në botë. “Përmes bashkëpunimit tonë, jemi sot me besim, që të bashku do ta kalojmë krizën dhe do të ecim drejt një të ardhmeje, në të cilën të gjithë popujt të zhvillohen në mirëqenie e shëndet.”
Më shumë programe koniunkturore?
Por kriza botërore e Coronës nuk është tejkaluar ende. Bota gjendet në një krizë ekonomike të paparë ndonjëherë, me këtë krizë duhet të përballen krerët e shteteve dhe qeverive të G20s. Presidenca saudite e G20-s llogarit që vendet më të rëndësishme të industrializuara dhe ato në ekspansion bashkë me BE do të shpenzojnë rreth 11 bilionë dollarë për programe koniunkturore. 21 miliardë dollarë për vaksina dhe terapi kundër Coronës. 14 miliardë dollarë për normat e interesit të huave të marra nga vendet e varfra që do të shtyhen për një afat të mëvonshëm. Krerët e shteteve e qeverive të G20-s duhet të vendosin, nëse këto masa mjaftojnë, apo nëse duhet të merren masa të tjera. Në një kohë që interesat në këtë raund diskutimi variojnë: SHBA me ende presidentin Trump në krye nuk i vënë shumë rëndësi institucioneve ndërkombëtare, në një kohë që europianët këmbëngulin në bashkëpunimin global për shpërndarjen e vaksinës.
Shtyrja e normave të interesit nuk është falje
Vetë vendet e varfra që nuk ulen në tryezën e samitit të G20-s nuk presin shumë prej tij. Politologu me origjinë nga Togo që jeton në Vjenë, Yves Ekoue Amaizo nuk beson se G20-a do të falë borxhe. “Do të flitet për lehtësimin e borxheve, pa dyshim”, thotë Amaizo. Por do të shtyhen vetëm në kohë pagesat e normave të interesit. Borxhi në vetvete do të mbetet. Këtu nuk bëhet fjalë për kreditë private, por ato shtetërore. Por ato përbëjnë një pjesë të vogël të barrës së borxheve, thotë eksperti. Sipas Amaizos shtetet e industrializuara nuk kanë ndonjë interes në çlirimin e Afrikës nga borxhet. Kina, SHBA, Rusia dhe Europa do të grinden me njëra-tjetrën, se si të krijojnë qasje tek lëndët e para afrikane. “Ata nuk kanë interes të largojnë debitorët.”
BE kërkon të flasë për problemet në nivel bilateral
Tek parlamentarët amerikanë dhe ata europianë ka dyshime, nëse është i justifikueshëm një takim nën shenjën e një monarkie absolute si Arabia Saudite. Parlamenti Europian kërkoi që presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel të mos qëndrojnë të ulur personalisht para kamerave. „Do të ishte më mirë të mos dërgohej një delegacion i nivelit të lartë, por një i thjeshtë, që është në gjendje të dërgoj një sinjal të fortë tek sauditët, thotë eurodeputeti belg, Marc Tarabella për DW. Komisioni Europian nuk i pranoi këto kërkesa.
Nuk bëhet fjalë për gjendjen në Arabinë Saudite, por për tema globale, tha zëdhënësi i Komisionit, Eric Mamer. „Ne nuk e përcaktojmë axhendën e G20-s. Këto takime kanë rregulla të rrepta dhe protokolle, kur vjen e drejta e fjalës.” Sipas Eric Mamer, BE kërkon t’i diskutojë problemet në nivel bilateral. „Ka shumë kanale komunikimi në dialogun tonë bilateral me Arabinë Saudite, ku ne mund të shprehim shqetësimet tona për të drejtat e njeriut.”
Probleme të mëdha me të drejtat e njeriut
Kritikat ndaj sistemit sundues të sauditëve nuk janë të pakta. Ende nuk është zbardhur vrasja ndaj gazetarit kritik, Jamal Khashogi para dy vjetësh. Princi trashëgimtar, Mohamed bin Salman duket se qëndron pas vrasjes që u krye në një konsullatë saudite në Stamboll. Por mënjanimi i opozitarëve është vetëm maja e ajsbergut në Arabinë Saudite, thotë Rothna Begum nga organizata “Human Rights Watch”.
Ajo e ndjek prej vitesh gjendjen në monarkinë e pasur me naftë. „Arabia Saudite ka një gjendje të keqe të të drejtave të njeriut. Ende ajo vazhdon luftën kundër vendit fqinj, Jemenit. Arabia Saudite shtyp aktivistët e të drejtave të njeriut në vendin e vet. Duzina opozitarësh janë futur në burg, kushdo që shpreh një formë kritike. Përveç kësaj ky vend shkel të drejtat e njeriut për gratë, sepse me vendosjen e kujdestarisë së burrit për gratë, ato degradohen në vendin e vet në qytetare të klasit të dytë”, thotë Rothna Begum.
Gjatë presidencës së G20-s princi saudit, bin Salman dhe shumë anëtarë të familjes mbretërore u përpoqën të krijojë një imazh të ri për vendin. Një vend i gatshëm për reforma, i hapur ndaj botës. Vëmendje zgjoi vendimi, që lejon gratë të ngasin automjetin dhe të aplikojnë vetë për pasaportë. Sipas Rothna Begum „princi trashëgimtar dëshiron të krijojë një imazh të mirë për veten me reformat, që ia kanë kërkuar vetë gratë.” Por sipas saj “në të njëjtën kohë ai burgos aktivistet për të drejtat e grave.”
Sauditët përdorin influencën e tyre
Arabia Saudite që me pasurinë e saj të jashtëzakonshme niset për ture blerje armësh në SHBA dhe Europë, ndodhet nën dyshim të nxitjes së terrorit islamist. Eksperti i politikës, Yves Ekoue Amaizo përmend një shembull nga Afrika. “Shtetet afrikane me një popullsi me shumicë myslimane i dërgojnë njerëzit e tyre tek sauditët, me qëllim që të luftojnë në Jemen. Arsyet për këtë janë paratë dhe investimet e mëdha, që ata marrin nga sauditët.”
Diplomatët e BE paralajmërojnë nga pritshmëri të larta dhe nga kritere të forta. G20 nuk është një bashkësi vlerash, por një klub ekonomik kryesisht. Në fund të fundit demokracitë perëndimore duhet të gjejnë një bazë për bisedime me regjimet autokratike si në Rusi, vendin e diktaturës njëpartiake, Kinën, dhe monarkinë absolute Arabinë Saudite, të gjithë me interesa tërësisht të ndryshme./REL