Lajme Arkiva 2003

Pas njoftimeve të një përditshme shqiptarë se Partia Socialiste dhe ajo  Socialdemokrate kanë nënshkruar në Spanjë një deklaratë që dënon luftën në Irak, njëri nga anëtarët e delegacioneve shqiptare ka përgënjeshtruar lajmin e dhënë.

Gaqo Apostoli një nga krerët e Partisë Socialdemokrate, kryetari i delegacionit të kësaj partie në takimin e internacionales socialiste shpjegon sjelljen e dy partive shqiptare të cilat sipas tij nuk e kanë nënshkruar deklaratën e Toledos e cila binte në kundërshtim me qëndrimin e shtetit shqiptar që u shpreh që në fillim pro ndërhyrjes së koalicionit ndërkombëtar në Irak.

Gaqo Apostoli: Përsa i takon deklaratës që ka dalë sot në media, ajo është plotësisht e pavërtetë. Aty ka një deklaratë, por si përfaqësuesi i Partisë Socialiste ashtu edhe përfaqësuesi i Partisë Socialdemokrate nuk e kanë firmosur, bile edhe në momentet finale për të mos e rihapur edhe njëherë diskutimin nga fillimi ne nuk morëm pjesë fare.

Socialdemokrati Apostoli thotë se qëndrimi që mbajtën Partia Socialdemokrate shqiptare e cila është anëtare internacionale socialiste dhe Partia Socialiste që pret të bëhet anëtare në shtator nuk do të ketë pasoja negative në marrëdhëniet e tyre, pasi ndaj partive anëtare nuk ka qëndrime detyruese./tvklan.al