Gazetarja: “Përse vendosët të kandidoni dhe të viheni në garë përballë me kryetarin, i cili ka udhëhequr për 13 vite Partinë Socialdemokrate? ”
Gaqo Apostoli: “E konsiderova si një mision politik në parti këtë kandidimin tim, në mënyrë që të rivendos edhe një herë mekanizmin jetik të konkurrimit politik në nivelet e larta të lidershipit. Kuptohet që gara politike është, si të thuash, një mekanizëm jetik i demokracisë në jetën e brendshme të partisë. Socialdemokracia shqiptare të hapet, të zgjerohet, forumet e kësaj të kthehen në tribunë politike, në një garë midis shokësh në shpalosjen e mendimeve politike, ideve politike. Si thelb kryesor kam rritjen elektorale të Partisë Socialdemokrate, sidomos në zgjedhjet parlamentare që afrojnë, për arsye sepse partia e rikonfirmuar vazhdimisht si forcë e tretë politike në vend, po të shikosh parametrat e saj politikë, organizativë dhe elektoralë, kanë mbetur në një lloj ngërçi politik d.m.th., variacioni elektoral i saj shkon nga 3.5% deri në 6-7 %. Partia Socialdemokrate, duke qenë një forcë konsistente, sado modeste nga pikëpamja elektorale, ajo mund të rrisë gravitetin e saj politik, por jo në këto kushte duke u ridimensionuar dhe ridimensionimin e saj mund ta bëjmë duke ndërmarrë një lëvizje të brendshme në parti. Kriza e Partisë Socialdemokrate buron nga kontradiktat ndërmjet asaj që thashë, peshës relativisht të lartë politike dhe peshës relativisht të ulët elektorale.”
Gazetarja: “Ku ka çaluar puna e Partisë Socialdemokrate dhe çfarë defekte ka pasur në drejtimin e saj?”
Gaqo Apostoli: “Futja e mekanizmit të konkurrencës, ky ishte i pari misioni im në këtë drejtim i cili do të rrezatojë dhe poshtë, sepse ndodh, mungesa e konkurrencës në nivelin e lartë ka rrezatuar edhe në nivelin elektoral, ka edhe kryetarë partie që konkurrojnë vetëm me veten e tyre. Në qoftë se mungon mekanizmi i konkurrimit politik atëhere fillon asfiksia. Partia ka një lloj shterpësie, bile ka një rënie që nga krijimi i saj, ka mjaft ambientin dhe madje do të thoja që ka disa funksionarë të lartë të partisë që nuk i njeh as partia vetë. Nuk i jam trembur ndonjëherë konkurrencës. Në përgjithësi na duan të dyve dhe natyrisht unë do të doja që të votohet ai që ata duan më shumë dhe jo ai të cilit i binden më shumë.” /tvklan.al