Në vijim të takimeve të tij me socialistët si kandidat për kreun selisë rozë, Edi Rama ka deklaruar edhe një herë mos njohjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke konfirmuar kështu zërat brenda selisë rozë, se kjo i paraprin një bojkoti të mundshëm të zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Edi Rama: “Në rast se ne falim zgjedhjet e 28 qershorit, ne nuk kemi falur thjesht rezultatin e tyre, por kemi falur të ardhmen tonë. Kemi falur zgjedhjet e ardhshme dhe ato tjerat pas tyre dhe i kemi dhënë mundësi Sali Berishës, Ilir Metës , Fatos Nanos e gjithë kompanisë, politikës së vjetër të zullumeve të pa përmbajtura dhe premtimeve të pambajtura që ka kthejnë Shqipërinë në një skemë të mbyllur si ato republikat ish-sovjetike. Rezistenca jonë sot ka të bëjë me mbrojtjen e zgjedhjeve të ardhshme, ka të bëjë me garantimin e votës në zgjedhjet e ardhshme, ka të bëjë me domosdoshmërinë që ti jepet fund njëherë  e mirë, një historie zgjedhjesh, ky qytetari apo familja që janë në krahun e opozitës, ndihen në disavantazh për faktin se mendojnë ndryshe nga pushteti.”

Rama ka theksuar se zgjedhjet e parakohshme mbeten një objektiv i patjetërsueshëm i Partisë Socialiste pasi parlamenti dhe qeveria janë pjesë e maskaradës së bërë në zgjedhjet e 28 qershorit, sikundër u shpreh ai. Në takimin me socialistët e Elbasanit ka prezantuar platformën e tij edhe kandidati tjetër për kryetar të PS, Maqo Lakrori./tvklan.al

Gazetar: Fatos Salliu