15 nga 290 kandidatët për shef komisariati në Policinë e Shtetit janë s’kualifikuar nga gara. Ata nuk kanë kaluar filtrin fillestar që është dokumentacioni i nevojshëm.

Dokumentet nuk kanë rezultuar të plota, një kriter ky për të qenë pjesë e garës për 48 komisariate.

Një komision i përbërë nga 3 gra; Alma Permeti, Anisa Duçkollari dhe Ervina Gjana do të nisë intervistat e aplikantëve.

Procesi i intervistimit do të nisë të hënën me 2 Dhjetor, dhe do të zgjasë disa ditë, për shkak të numrit të lartë të aplikimeve. Pas intervistës do të bëhet pikëzimi i kandidatëve për të vijuar më pas me emërimin nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Në garë, në mesin e 290 të të interesuarve për t’u bërë shef komisariati janë edhe 9 gra, një pjesë e të cilave pritet të marrin besim për t’u emëruar.

Gara për shef komisariati bëhet për herë të parë dhe vjen pas konkursit që u ndoq për përzgjedhjen e kryepolicit Ilir Proda por dhe 12 drejtuesve të qarqeve.

Sipas ligjit, me konkurs duhet të zgjidhen dhe drejtorët e departamenteve në Policinë e Shtetit.

Klan News