Policia e Shtetit publikon vlerësimin paraprak për kandidatët për shefa komisariatesh në vend. I pari në listë renditet kryekomisar Ilirjan Demaj, i cili ka marrë 82 pikë ndër 251 aplikantëve. Deri në këtë fazë pretendentë për 48 komisariatet e policisë në të gjithë vendin janë 102 aplikantë me gradat kryekomisar, komisar apo nënkomisar të cilët kanë mundur të sigurojnë të paktën 70 pikë, pragu i nevojshëm për t’u kualifikuar.

Mes kandidatëve të pozicionuar pararakisht në listën e emrave nga ku do të përzgjidhen shefat e rinj të komisariateve janë dhe 4 gra, pjesë e radhëve të policisë. Të gjithë kandidatët kanë të drejtë të ankimojnë rezultatin brenda dy ditëve nga momenti i publikimit të listës së pikëve.

Pas përfundimit të kësaj faze, komisioni i vlerësimit publikon listën përfundimtare, e cila i vihet në dispozicion drejtorit të përgjithshëm të policisë, Ilir Proda. Do jetë ky i fundit ai që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve që do t’u besohet drejtimi i 48 komisariateve në vend.

Fillimisht në këtë garë shprehën interes 274 aplikantë, por vetëm 251 prej tyre iu nënshtruan procesit të intervistimit, pasi 23 të tjerë u tërhoqën.

Klan News