Manastirliu: Mjeku i familjes vendos kush rimbursohet
Mjeku i familjes do të japë vlerësimin se cila nga paketat financiare do të përfitohet falas nga pacientët me koronavirus, që trajtohen në banesë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se kjo paketë do t’i ofrohet kujtdo që rezulton Covid pozitiv, me anë të recetave të rimbursueshme.
“Mjeku i familjes është ai i cili përcakton barnat respektive në recetën që do i kalon qytetarit, nëpërmjet sistemit automatik në farmacinë e rrjetit të hapur, me një kod të thjeshtë. Është mjeku i familjes, ai që vlerëson se në çfarë faze të sëmundjes është qytetari.”
Mjeku i familjes ndërkohë do të japë mjekimin simptomatik për të gjithë rastet e dyshuara, pa pritur rezultatet e tamponit.
“Rastet e dyshuara po ashtu ndjek duke mundësuar edhe mbështetjen me terapitë apo me barnat në kuadër të listës së rimbursimit ekzistuese”.
Udhëzuesi për paketat u është shpërndarë të gjithë mjekëve të familjes.
“Në stadin e parë mjeku i familjes e trajton me vitaminën C, vitaminën D, elementin zink dhe paracetamolin 5 mg. Vlera e recetës që do të rekomandohet është 16,000 e 500 lekë të vjetra. Skema e dytë është vitaminë terapia, anti-inflamatori ose anti-piretiku dhe një antibiotik i vendosur, do të ketë një vlerë 100 e 9 mijë lekë të vjetra”.
Referuar situatës aktuale, të dhënat zyrtare flasin për rritje të rasteve me koronavirus, me një incidencë 526 raste për 100 mijë banorë, ku 52% janë femra dhe 48% meshkuj. Për të frenuar përhapjen e Covid-19 në vend, ekspertët kanë ndërmarrë 13 masa në 9 muaj.
Tv Klan