Prezantohen dy projekte transformuese për qytetin e Shkodrës, Muzeu i Kujtesës dhe si edhe rindërtimi i hapësirës përreth xhamisë. Projektet janë realizuar nga arkitekti i njohur spanjoll, Jesus Hernandez, i cili ka realizuar edhe Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe Kryeministri Edi Rama i cili i vlerësoi këto projekte si ambicioze.
“Janë dy projekte transformuese për Shkodrën, i pari në sensin e marrëdhënies me të shkuarën dhe të domosdoshmërisë për të pasur një ekspozim të hapur të gjithë atyre plagëve të tmerrshme që diktatura komuniste hapi në Shkodër dhe i dyti duke transformuar parkun, sot të mbyllur, të xhamisë së madhe”, tha Edi Rama.
Nga nga tjetër, kryeministri tha se edhe pse me vonesë, Shkodrën e pret një transformim i thellë me mbështetjen financiare të qeverisë.
“Fatkeqësisht në Shkodër filloi me 30 vjet vonesë, por që tani nuk do të ndalet, projekte do të bëjmë në bazën e këtyre planeve në mënyrë që kryeqytetit të veriut t’i japim të gjithë rëndësinë, të gjithë mbështetjen, dhe të gjithë fuqinë që ka nevojë në aspektin ekonomik”, tha Rama.
Sipas Ramës projektet transformuese të Shkodrës, përfshi dhe hyrjen e qytetit do të kenë impakt të fortë në turizëm.
“Shkodrës do t’i bëhet një promovim i mëtejshëm duke bërë që të dalë nga kufijtë e Shqipërisë, edhe përmes këtyre dy objekteve dhe patjetër që kjo do të sjellë shumë më tepër vizitorë dhe shumë më tepër turistë”, tha Rama.
Kryeministri tha se së bashku me fondin e zhvillimit do nis realizimi i një projekti kombëtar për ndërtimin e parkimeve nëntokësore dhe mbitokësore, për të çliruar trafikun, jo vetëm në zemër të Shkodrës, por në çdo qytet.
Klan News