Tahiraj: Spitali ka 81 shtretër, por mund të zgjerohet nëse ka fluks
Spitali Covid numër 5 në Shqipëri është gati në pritje të pacientëve. Ai është i pari spital Covid jashtë Tiranës i vendosur në qendrën spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan.
Spitali ka një kapacitet prej 81 shtretërish, por mund të zgjerohet sipas situatës. Drejtoresha e Qendrës Spitalore të Elbasanit, Dasantila Tahiraj, shpjegon edhe mënyrën se si do të funksionojë ky spital.
“Pacientët do të fillojnë të shtrohen kur të ezaurohen të gjithë shtretërit e spitaleve Covid. Spitali rajonal i Elbasanit ka vënë në dispozicion të Covid-it 81 shtretër të cilët do të jenë të dedikuar për të shtruarit Covid. Ministria e Shëndetësisë ka bërë përgatitjet duke na pajisur me aparatura dhe bazën materiale të nevojshme. Duke shtrirë linjat e oksigjenit në të gjithë shtretërit e këtyre ambienteve që po vihen në dispozicion, gjithashtu dhe trajnimi i stafi ”, tha Tahiraj.
Pas Tiranës, Elbasani është ndër qarqet më të prekura nga Covid, me 940 të infektuar dhe mbi 100 viktima. Ngritja e spitalit Covid në këtë rreth pritet të lehtësojë shërbimet për qytetarët.
Tv Klan