Veliaj: Kushte dinjitoze në hapësira të reja për 100 familje që jetojnë me këtë biznes

Banorët e komunitetit rom dhe egjiptian në zonën e Selitës në Tiranë, do të kenë një treg të ri të formalizuar, ku të mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre të shitjes së rrobave të përdorura. Bashkia e Tiranës ka dorëzuar ambientet e reja të tregut me rreth 100 vende për tregtarët e këtyre komuniteteve, që deri dje shisnin në rrugë dhe në mënyrë informale.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte në këtë treg të ri, nga ku tha se kushtet që ofrohen u sigurojnë familjeve që jetojnë me këtë aktivitet jo vetëm disiplinë e dinjitet, por edhe kushte optimale për ta dhe qytetarët që frekuentojnë tregun.

Për 30 vite, i gjithë kryqëzimi i Selitës ka qenë një pikë shitjesh i rrobave të përdorura – një imazh jo europian për një qytet që pret të marrë stafetën e Kryeqytetit Europian të Rinisë. Por, kemi marrë vendimin që tregu të transferohet nga rrethrrotullimi i Selitës te Fabrika e Miellit, për të ardhur më brenda në Selitë, në një hapësirë të rehabilituar me ndriçim, asfalt, sinjalistikë, ku 100 tregtarë do të kenë një ambient ku mund të shesin në banak. Ky treg, i cili më herët funksiononte vetëm në ditët me diell, sot do funksionojë 365 ditë të vitit. Ndaj, besoj se edhe për komunitetin rom dhe egjiptian, që merret kryesisht me këtë lloj tregtie, kemi dhënë një zgjidhje dinjitoze,” u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku solli shembullin e suksesshëm të tregut të rrobave të përdorura në Shkozë, ku 110 persona që merreshin me mbledhjen e objekteve të riciklueshme, janë shndërruar në tregtarë formalë.

Askush nuk përzihet nga askund. Ashtu si tek Liqeni, vërtet u larguan, por familjet morën banesa sociale, kurse qyteti fitoi Parkun e Liqenit; ashtu si në Shkozë, u larguan, por qyteti fitoi trotuaret, kurse tregu atje po funksionin për bukuri. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe këtu në Selitë – nuk do të shiten më as ushqime, as rroba në tokë. Për të gjitha këto arsye, do të kërkoj fillimisht të bëjmë transferimin para Krishtlindjeve, në mënyrë që secili të ketë hapësirën e tij dhe mundësinë të punojë me dinjitet, ashtu siç kemi bërë edhe me tregjet ushqimore,” tha ai.

Veliaj tha se kjo zgjidhje disiplinon hapësirën e secilit në një qytet ku të gjithë duhet të bashkëjetojnë pa cenuar njëri-tjetrin.

E kuptoj histerinë e këtyre portaleve të gjobave që thonë, “pse iku ky nga rruga…”, etj., por për sa kohë që bashkia ka 11 tregje falas, ku çdokush mund të shesë sa të dojë, kur të dojë, si të dojë, por jo në tokë! Për sa kohë jemi bërë mbi 1 milion vetë në Tiranë, do të duhet të bashkëjetojmë. Por, si mund të bashkëjetojmë duke ngrënë, duke pirë, duke u veshur, duke mësuar, duke ecur e duke luajtur në të njëjtin vend?! Jo! Duhet të respektohet hapësira e secilit. Trotuaret janë për të ecur, tregu është për të shitur, shkolla është për të mësuar, sheshi është për të luajtur,” shtoi ai.

Kryebashkiaku nënvizoi se tashmë është hedhur edhe shorti për vendet në treg, sipas të njëjtës praktikë të ndjekur nga Bashkia për familjet që përfitojnë apartamente në pallatet e dy lagjeve të reja të rindërtuara pas tërmetit në Tiranë.

Kemi hedhur një short – pra të 100 tregtarët kanë zgjedhur vetë me short numrin e tezgës që i takon, që askush të mos ketë asnjë ankesë, njësoj siç hedhim me short edhe banesat sociale, edhe banesat e rindërtimit. Besoj se japim një përgjigje ku edhe qyteti modernizohet dhe gjithë ajo hapësirë rehabilitohet, bëhet një bahçe me lule, por sigurisht edhe komuniteti rom respektohet,” deklaroi Veliaj./tvklan.al