Shefi i kuzhinës Arvin Kita ishte i ftuar këtë pasdite në programin “Rudina”, në Tv Klan. Ai u ndal dhe sugjeroi për publikun edhe disa gatime dhe ushqime që duhet të kemi parasysh gjatë kësaj vere.
Kita u shpreh se mishi i kuq duhet evituar sa më shumë të jetë e mundur dhe një vëmendje të madhe duhet t’i kushtohet frutave, perimeve dhe sidomos sallatave të ndryshme që mund të bëhen me to.
Më tej, ai shtoi se darka duhet të jetë shumë e lehtë dhe duhet të konsumohet para orës 8.
Rudina Magjistari: Cilat janë gatimet që sugjeron për verën?
Arvin Kita: Vetë natyra kompeson aq bukur veten në disa momente. Na lypen akoma dhe më pak kalori tani në verë dhe kemi më shumë perime. Vetë organizmi nuk lyp me prejardhje shtazore sidomos produkte. Mishin e kuq ne e evitojmë dhe mund ta evitojmë sa më shumë, është gjëja më e mirë. Por evitojmë duke e kompesuar me peshkun, me mishin e bardhë ose thjesht me perime të gatuara me shumëllojshmërinë e ngjyrave që i fal natyra. Unë sugjeroj gatime që janë me pak mish brenda dhe gjithmonë me shumë perime, si të furrës ashtu edhe të tenxheres klasike tonën.
Rudina Magjistari: Po për sa i përket frutave që mund të përfshihen në gatim?
Arvin Kita: Sallata me shalqi, pjepri gjithashtu, lulushtrydhet, qershitë, kumbullat shahine që kanë qenë dikur. Manaferrat, mjedrat, boronicat gjithçka mund të futet në gatim. Zgjidhje kuzhina ka pafund, mjafton dëshira dhe prakticiteti. Kjo është gjëja që unë kam sugjeruar gjatë gjithë emsionit dhe programit, që ka zgjatur që nga Shkurti dhe deri në Korrik.
Rudina Magjistari: Për të ngrënë sa më lehtshëm gjatë kësaj periudhe sugjerohen sallatat?
Arvin Kita: Sallatat jo në darkë sepse jep një farë fermetimi në organizëm, një fryrje dhe mos bërjen e një gjumi të qetë. Darka konsumi deri në orën 8.
Rudina Magjistari: Çfarë do të sugjeroje për në darkë?
Arvin Kita: Sigurisht frutat janë shumë të mira. Nuk do të sugjeroja frutat që kanë volume të mëdha. Nuk do të sugjeroja shalqi dhe pjepër, që japin shumë fryrje në stomak. Më e këshillueshme tek frutat është avokado, që ka yndyrna të ngopura./tvklan.al