Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Njerëzit kanë nevojë për shtetin dhe dinjitetin e tij, por kur sulmohet shpesh ai dhe figura e policit që është portreti i një shteti, do të thotë goditje e rëndë. Shteti që s’arrin të mbulojë fytyrën e tij, detyrohet të jetë gjithnjë si një tabelë qitje e grirë nga plumbat. Jo stabiliteti në rend dhe vrasjet e njëpasnjëshme të uniformave sjellin luhatje, mosbesim dhe lënë gjurmë të hidhura kurdoherë.

Rreth kësaj situate të krijuar në vend, të mbushur me vrasje e pa kapur e dënuar asnjë kriminel, janë prononcuar gazetarë të shtypit të përditshëm. Sipas tyre, mosvënia e rendit e mbajtja e përgjegjësisë është kërcënuese për të gjithë.

Ylli Rakipi:- “Kur krimi zbret egërsisht tek vetë uniformat, atëherë do të thotë se krimi është bërë vetë më i fuqishëm se uniformat. Unë do t’ju merrja ju një rast fare konkret, në momentin kur Ministria e Rendit, bën deklaratën që vrasja e komisar Malushit dhe shoferit të vetë është për motive gjakmarrje, në këtë moment ka rënë shteti, ka falimentuar shteti, pra ky shtet ka rënë dhe një shtet tjetër është ngritur. Vrasjet e njëpasnjëshme tregojnë që institucioni i Ministrisë së Rendit gati nuk funksionon, ky është një moment i madh alarmi është një moment ku rrezikohet vetë ky sistem, për të kaluar në një anarki të plotë. Fakti që asnjë autoritet i Ministrisë së Rendit nuk jep dorëheqje, nuk kërkon një ndjesë publike është një gjë e keqe të pretendosh që t’i ke kryer detyrën duke ndarë 5 lekë familjeve të të vrarëve”.

Alfred Peza:- “Situata është e rënduar dhe vrasja e biznesmenëve, rreth 15 krime mafioze pa autorë, që ekzistojnë në statistikat e policisë shqiptare, mos zbulimi i tyre solli më pas në dy muaj 4 vrasje policësh dhe plagosjen e disa të tjerëve, të gjitha këto ngjarje pa autorë. Pra tregon që situata është mjaft e rëndë dhe duhet thënë që krimi në Shqipëri nuk po luftohet nëpërmjet ligjeve dhe emërimeve të njerëzve profesionistë, por siç kanë thënë dhe institucionet ndërkombëtare në raportet e ndryshme që kanë bërë për Shqipërinë, vazhdojnë ende të emërohen komisarët e familjeve mafioze, komisarët biznesmenë, komisarët e paaftë, të cilët nuk dinë të bëjnë detyrë tjetër, veçse të zbatojnë porositë e partisë”.

Arian Çani:- “Unë mendojë që duke illuar që nga vrasja e biznesmenëve dhe tani së undi dhe vrasja e disa policëve brenda një kohe shumë të shkurtër, sigurisht që na ka lënë një shije të hidhur të gjithëve. Unë mendoj se faktorët ose përgjegjësitë për këtë situatë të vështirë dhe delikate, sigurisht që janë të shumtë, por mendoj se përgjegjësinë më të madhe e mbanë sigurisht policia e shtetit. Le t’i referohemi vrasjes së komisar Malushit, së bashku me shoferin e tij, ajo ka ndodhur në mes të ditës, sot është dita e 12 që autori vazhdon të jetë në kërkim, por asnjë përgjigje deri tani për një opinion publik të shqetësuar. Kështu që unë mendoj, që në një vend tjetër vrasje të tilla do të bënin ministrin e rendit që të jepte dorëheqjen, do të konsiderohej si një akt normal, në Shqipëri, fatkeqësisht kjo gjë nuk ndodh./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti