Pas vizitës së drejtuesit të njohur të emisionit “Porta a Porta” Bruno Vespa, një tjetër figurë e njohur e Rai-t, mbërrin në mjediset e Televizionit Klan, këtë herë si i ftuar special i Tv Klan dhe spektaklit “E diela shqiptare”, në të dielën e fundit për këtë sezon televiziv.
Pipo Baudo, prezantuesi i “Domenica in” dhe drejtuesi i festivalit të “Sanremos” për shumë vite me radhë, i shoqëruar nga prezantuesi Ardit Gjebrea ka bërë një shëtitje nëpër studiot e televizionit.
Fillimisht Baudo ka parë studion e emisionit “Opinion”, që është kthyer në shtëpinë reale të debatit politik në Shqipëri. Me pas ai u ndal në studion ku zhvillohet emisioni “Histori me zhurmues” i Pandi Laços. Një ndalesë tjetër në këtë udhëtim të shkurtër ishte edhe regjia qendrore dhe studio e lajmeve, që duket se i ka lënë mbresë zotit Baudo.
Një tjetër studio interesante për të ishte edhe ajo e “Njerëz të humbur”, emision të cilin në Itali e gjejmë me emrin “Qui la visto”.
Në këtë rrugëtim të shkurtër nëpër televizionin Klan, Baudon e shohim edhe në studion e emisionit “Blu”, apo “Kutia e fundit”.
Dhe sigurisht pjesa e tortës në këtë shëtitje është hyrja e tij në studion e spektaklit “E diela shqiptare”, një studio e krijuar nga Franko Ferrari dhe Gaetano Kasteli, dyshja më e njohur që ka krijuar studio më të njohura të Rai-t.
Në këto pamje duket interesi i prezantuesit të spektaklit “Domenica In” për ta prekur në çdo cep studion e një formati të ngjashëm tashmë në Shqipëri, sikundër është “E diela shqiptare” e Ardit Gjebresë.
Si për të mos ndalur tempin e tij si prezantues elegant, një përshëndetje për të gjithë stafin dhe një improvizim në piano ishte një nga momentet e këndshme të kësaj vizite.
Vetëkuptohet, se qershia mbi tortë, jo vetëm për organizatorët por, edhe spektatorët, e teleshikuesit e Tv Klan, do të jetë hyrja e Pipo Baudos gjatë transmetimit live të spektaklit, si i ftuari i nderit në spektaklin e fundit për këtë sezon, Te së dielës shqiptare./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani