Ceremonia e inaugurimit të Donald Trump ndryshe nga tradita nuk u zhvillua në një hapësirë të gjerë dhe të hapur. Kushtet atmosferike dhe temperaturat e ulëta e “sfiduan” Presidentin e 47-të të SHBA-ve që betimin e tij ta zhvillonte në Capitol. Edhe pse vendi i kushtëzonte për numrin e të ftuarve, përsëri pjesëmarrësit arritën që të tërhiqnin vëmendjen e gjithë mediave botërore.
Përveç pjesëtarëve të “dinastisë” Trump të ftuar ishin dhe shumë liderë botërorë. Krah Trump qëndruan dhe miliarderët më të mëdhenj të botës si Elon Musk, Mark Zuckerberg, Jeff Bezos, Sundar Pichai dhe Tim Cook.
Prania e këtyre “oligarkëve” më të mëdhenj të botës u përfol shumë për ndikimin që do të kenë ata gjatë mandatit 4 vjeçar të Trump si President, ose se si ky i fundit do të përdorë pushtetin e tyre në favor të administratës së tij. I ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan gazetari Erion Dushi foli sa i përket “hijeve të dyshimit” që sjell prania e këtyre 5 njerëzve më të pasur të botës.
“Kjo ceremoni e inaugurimit të Presidentit të SHBA-ve nuk ishte në të njëjtin nivel sikurse kanë qenë ato të mëparshmet. Pra që nga temperaturat e ulëta që e detyruan atë të futej në një zonë që nuk mbante dot aq persona sa do të donte ai të kishte të pranishëm, ia ul disi vlerën, por diti ta ngrejë këtë me të ftuarit që kishte. Nuk duhet të harrojmë faktin që përmes atyre të pranishmëve, përbri familjes së tij ishin dhe 5 personat më të suksesshëm dhe më të pasur të globit. Kjo i jep një farë peshe atij President, por ngre dhe hijet e dyshimit. Çfarë roli do të ketë ky President i SHBA-ve përkundrejt asaj fjalës që ne na rëndon në realitetin shqiptar që themi ‘oligarkë të rinj’, pra kemi të bëjmë përballë kësaj qasjeje që do të ketë një president apo mënyrës që do të përdorë këta për ta bërë botën një vend më të mirë sikurse ka premtuar. Por, që gjatë fushatës kemi vërë diçka tek Donald Trump ai është deklaruar që ditën e parë që do të jetë një diktator dhe pastaj do të jetë presidenti në shërbim të popullit. Këtë gjë e bëri fare mirë në të gjitha dekretet që firmosi njëri pas tjetrit”, tha gazetari./tvklan.al