Sapo shikojmë këtë foto të djalit të vogël të Donald Trump gjatë ceremonisë së tij të inaugurimit menjëherë ndër mend na vjen një imazh i ngjashëm, saqë pa frikë mund të themi identik. “Grushti i hekurt” është pikërisht përshëndetja tipike e Presidentit të 47-të të SHBA-ve gjatë fushatës së tij, por dhe atentatit që iu bë. Pikërisht ky “grusht i hekurt” u përdor dhe nga i biri Barron Trump.
Mes vëmendjes që mori kapelja e Melania Trump, veshja e Ivanka Trump, dhe të ftuarit gjatë ceremonisë, prezenca e Barron Trump u bë kryefjalë e shumë lajmeve ndërkombëtare kushtuar ceremonisë madhështore. Pikërisht për këtë diskutoi pasditen e kësaj të premteje paneli i të ftuarve në programin “Rudina” në Tv Klan.
Barron Trump është djali më i vogël i Presidentit të 47-të të SHBA-ve, Donald Trump dhe gruas së tij Melania Trump. Ai erdhi në jetë më 20 Maj të vitit 2006. Sipas mediave emri iu vu nga i ati, Barron, ndërkohë e ëma Melania Trump dëshironte ta quante William. Baron ishte emri që Trump jo vetëm preferonte, por dhe e përdoret në raste kur nuk donte të identifikohej.
Barron Trump përfundoi arsimin e mesëm në Osborne Academy në Florida dhe aktualisht është student i New York University për biznes, duke thyer kështu traditën familjare. Pasi babai dhe vëllezërit e tij kanë ndjekur universitete prestigjioze.
Barron Trump është më i vogli i dinastisë Trump, por dhe më i gjati i saj, pasi ai është 2 metra e 1 centimetra. Në kohën e lirë atij i pëlqen të luajë futboll, golf dhe basketboll. Ai e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë në Trump Tower në Manhattan ku kishte një kat të gjithin për vete dhe sipas Melanias ky kat quhet “salloni i Barronit”.
Në daljet e tij publike Donald Trump jo pak herë ka lavdëruar djalin e tij, ai e cilëson si një student të mirë. Gjatë fushatës së fundit presidenciale të Trump ku kandidoi për të marrë për herë të dytë postin e Presidentit të SHBA-ve, ai luajti një rol shumë të madh me votuesit e rinj në moshë. Këtë e theksoi dhe vetë Donald Trump gjatë fjalës së tij pas inaugurimit.
Jo vetëm ngjashmëria në fizik, por dhe në karakter “trullosi” pjesëmarrësit e ceremonisë përfshirë këtu dhe ish-Presidentin Joe Biden. Që tani ai ka filluar të cilësohet si “presidenti Barron”, e duket se Trump do të ketë një trashëgimtar në hapat e tij në Shtëpinë e Bardhë. Ideali me siguri është i biri, 18 vjeç.
Barron Trump flet dy gjuhë të huaja anglisht dhe sllovenisht, ai duket se po ndjek hapat e babait të tij. 18-vjeçari po përgatitet të nisë një sipërmarrje për pasuritë e patundshme luksoze me dy partnerë biznesi. Fillimisht e inkorporoi biznesin e tij gjatë Korrikut të kaluar, por kompania u shpërbë vetëm 4 muaj më vonë./tvklan.al