Ministrja Ogerta Manastirliu u pyet këtë të martë në emisionin “Opinion” nga gazetarët se pse vonohet përgjigja e tamponit. Më konkretisht, gazetarja e Tv Klan, Rashela Shehu, tregoi se kishte pritur për 5 ditë për të marrë një përgjigje pasi kishte kryer testin.

Ministrja u shpreh se janë epidemiologët ata që vendosin për prioritetet e rasteve. Manastirliu u shpreh se rastet në spital, mësuesit dhe të gjithë personat që kanë simptoma të rënda testohen dhe përgjigja vjen brenda ditës.

Rashela Shehu: Përpara dy javësh isha e dyshuar si pjesë e riskut për shkak të kontaktit me një person që dyshohej se ishte i prekur nga Covid-19. Tamponin edhe pse asimptomatike, ky është një kalvar më vete për persona brenda familjes ndiejnë dhe kanë vështirësi për ta realizuar një tampon të tillë, edhe pse familjari i tyre mund të jetë me Covid. Bëj tamponin ditën e shtunë në mëngjes dhe kam pritur nga e shtuna e fundjavës për përgjigjen të cilën e kam marrë ditën e mërkurë në drekë. Nuk e kam përdorur statusin e gazetares në këtë rast, por thjesht si një qytetare kam pritur pak më shumë se pesë ditë. Por njëkohësisht unë jam edhe shtetase e Maqedonisë së Veriut. Jam e bindur që nëse këtë test ashtu siç edhe kolegët tanë nga Maqedonia e Veriut raportojnë, i njëjti test që aplikohet tek ne, kohëzgjatja për të marrë përgjigjen e këtij tamponi do ishte shumë herë më e shpejt. E njëjta gjë ndodh edhe me kolegët tanë në Kosovë. Pyetja ime e parë për ministren është: Përse për të njëjtin tampon kohëzgjatja për marrjen e përgjigjes është e ndryshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut duke i shtuar kësaj po ashtu edhe numrin e testimeve? Numri i testimeve krahasuar me Maqedoninë e Veriut, referuar raporteve është të paktën 50% më pak.

Ogerta Manastirliu: Jam e kënaqur që pas problematikës që ti ke pasur, dyshimit në raport me Covid-19 gëzon shëndet të plotë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Patjetër që çështja e testimeve është një çështje e shumë debatuar në këto kohë, jo vetëm në Shqipëri. Duke qenë se ti do një përgjigje direkte në raport me afatet, kohët, ajo çfarë është e vërteta është që nga muaji Qershor deri në Shtator ne kemi trefishuar numrin e testimeve. Do të vijojmë me rritjen e kapaciteteve testuese përgjatë gjithë periudhës vjeshtë-dimër, sepse kjo do të ketë edhe një bartje të një risku më të lartë të infeksionit. Përgjigjet e rasteve të testuara ka një protokoll të caktuar, ndjekje të caktuar nga epidemiologët dhe mua më vjen mirë që gjurmimi, hetimi ka funksionuar në rastin tënd. Sepse testimi nuk është vetëm një qëllim në vetvete. Mund të testosh shumë, por nëse nuk ke kapacitete gjurmuese atëherë testimi mbetet thjesht një përgjigje për individin dhe jo një përgjigje për vatrën që mund të jetë krijuar në infektim. Kjo na çon në shpërthime epidemike që nuk mund të kontrollohen. Për rastin tuaj më duhet ta verifikoj me Institutin e Shëndetit Publik, patjetër që e besoj atë që thoni ju dhe nuk e vë në diskutim. Patjetër që do ketë edhe një arsye. Përpjekja e jashtëzakonshme që ne bëjmë për të testuar në një kohë të shpejtë, gjurmuar, për të bërë hetimin epidemiologjik dhe për të izoluar ka një indikator. Indikatori është që rastet të cilat ne testojmë dhe gjurmojmë izolohen brenda 48 orësh në masën 80% të tyre. Prioriteti i rasteve të dyshuara vendoset nga epidemiologët. Rastet e spitaleve testohen brenda ditës, mësuesit, personat e riskut që kanë simptoma të rënda brenda përkufizimit që përcaktojnë ekspertët shkojnë në një korridor të shpejtë për t’u testuar në mënyrë që përgjigjet të vijnë sa më shpejt. Ka shumë vend për të përmirësuar, nuk jemi këtu dhe kemi arritur perfeksionin, por jemi në përpjekje të jashtëzakonshme për të rritur kapacitetet testuese dhe mbi të gjitha për të vijuar hetimin epidemiologjik./tvklan.al