U asfiksuan gjatë natës nga rrjedhja e bombolës
Tre pjesëtarë të një familje kanë humbur jetën tragjikisht këtë të premte në fshatin Ostren të Madh të Bulqizës, si pasojë e rrjedhjes së gazit nga një bombol që përdorej për gatim.
Rajmonda Tola, 40 vjeç dhe dy fëmijët e saj Rudina 19 vjeçe dhe Fatjoni 14 vjeç, u gjetën pa jetë nga të afërmit, në shtëpinë e tyre.
Ndërsa vajza më e vogël e familjes, Merita 8 vjeçe mundi të shpëtojë. Ajo u dërgua në spitalin e Bulqizës, ku mori ndihmën e nevojshme mjekësore.
Tragjedia ka ndodhur gjatë natës. Kanë qenë të gjithë në dhomën e gjumit, kur besohet se gazi ka nisur të rrjedhë dhe askush nuk e ka ndjerë. Gruaja dhe 3 fëmijët jetonin të vetëm, pasi bashkëshorti i saj Albert Tola ishte emigrant në Greqi.
8-vjeçarja e mbijetuar ndodhet në gjendje të stabilizuar mjekësore. Ajo u vizitua në mbrëmje nga Presidenti Meta.
Policia po kryen hetime për të zbuluar nëse bombola ishte brenda parametrave të duhur teknike, apo gazi është lënë i hapur nga pakujdesia.
Të paktën 6 persona janë lënduar vetëm gjatë muajit Janar nga shpërthimi i bombolave të gazit në vend.
Ekspertët ngrenë shqetësimin se bombolat vazhdojnë të mbushen nëpër pika karburanti dhe nuk merren në pikat e duhura ku ato u nënshtrohen kontrolleve.
Tv Klan